Ka studim që në vitin 2024 dhe grup pune prej muajsh, por ende jo zgjidhje për Jugohromin
Ministria e Mjedisit Jetësor thotë se grupi i punës po shqyrton zgjidhjet për deponinë e rrezikshme të Jugohromit, ndonëse në prill 2026 njoftonte se grupi ishte në proces formimi. Studimi ekziston që nga viti 2024, por pastrimi i mbetjeve me krom gjashtëvalent ende nuk ka një zgjidhje konkrete, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Mjedisit Jetësor, Muamet Hoxha, thotë se është formuar një grup pune që po shqyrton zgjidhjet e propozuara në studimin për pastrimin e deponisë së Jugohromit, ndërsa procesi për zgjidhjen e problemit tashmë ka filluar. Megjithatë, detajet për hapat konkretë dhe ecurinë e procedurës do të bëhen publike pasi të shqyrtohen në grupin ndërresorial dhe në Qeveri.
“Nuk është e vërtetë se ekziston rreziku të humbet granti për Jugohromin, por ato para nuk janë për sanimin e stacionit të trajtimit të ujërave apo të deponisë, por për përgatitjen e një studimi”, tha ministri i Mjedisit Jetësor, Muamet Hoxha. Ai konfirmoi se Ministria ka marrë kërkesë për një letër qëllimi nga një kompani franceze dhe tha se kërkesa është në procedurë te shërbimet përkatëse dhe se nuk sheh arsye pse të mos nënshkruhet.
Megjithatë, sipas Hoxhës, për Jugohromin nuk na nevojitet edhe një studim, pasi tashmë kemi një të përgatitur në vitin 2024, por na nevojiten masa konkrete për pastrimin e mbetjeve të rrezikshme.
“Lidhur me njoftimin e Eco-svestit, konsideroj se është shumë e rëndësishme që publiku të informohet saktë. Para disa ditësh kemi marrë një kërkesë nga një kompani për letër qëllimi, me të cilën ajo do të aplikonte për një grant të mundshëm përmes instrumentit francez FASEP, i cili, nëse sigurohet, do të shërbente për përgatitjen e një studimi nga ana e kompanisë. Jam i detyruar t’ia rikujtoj publikut se studimi për pastrimin e Jugohromit tashmë ekziston. Ai është realizuar në vitin 2024 nga GIM-i dhe, në bazë të këtij studimi përkatës dhe gjithëpërfshirës, Ministria dhe Qeveria tashmë po veprojnë”, thotë Hoxha.
Ai pretendon se është formuar një grup pune që po shqyrton zgjidhjet e propozuara në këtë studim, por thotë gjithashtu se procesi që duhet të rezultojë me pastrimin e deponisë tashmë ka filluar. Detajet se deri ku ka arritur procedura premton se do të bëhen publike së shpejti, pasi kjo të përcaktohet nga grupi ndërresorial dhe brenda Qeverisë.
“E kuptoj se qytetarët dhe opinioni profesional janë të shqetësuar nga fakti që asnjë ministër gjatë tri dekadave të fundit nuk është përpjekur ta zgjidhë këtë problem. Edhe unë jam i shqetësuar dhe pikërisht për këtë arsye kam marrë përsipër ta zgjidh problemin. Por ai nuk do të zgjidhet me zgjidhje të nxituara, të miratuara nën presion, por me një zgjidhje sistematike dhe të qëndrueshme. Konsideroj se është e gabuar të përhapen dezinformata se Ministria do ta humbiste një grant dhe se ky grant do të ishte i dedikuar për pastrimin e deponisë. Pastrimi i deponisë është një proces kompleks dhe do të zgjasë më shumë, ndërsa për të nevojiten burime shumë më të mëdha”, thotë Hoxha.
Ministri i Mjedisit Jetësor reagoi ndaj apelit të organizatës së shoqërisë civile Eco-svest, sipas së cilës një grant prej gjysmë milioni eurosh mund të humbet nëse ministri nuk nënshkruan brenda afatit të caktuar një letër për një kompani franceze, e cila do të aplikonte për financim nga Qeveria franceze. Organizata bëri të ditur se ekziston një donator i interesuar që përmes një granti të financojë hapin e parë drejt pastrimit të mbetjeve historike në Jugohrom, përmes sanimit të stacionit të trajtimit të ujërave dhe aktiviteteve përgatitore për pastrimin e deponisë me krom gjashtëvalent.
“Që të hapet mundësia për financim, ministri duhet ta dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm. Afati është i shkurtër, ndërsa Eco-svest i kërkon ministrit që urgjentisht t’i dorëzojë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që të mos humbet mundësia për financimin e këtij projekti. Ky është hapi i parë drejt zgjidhjes së përhershme të problemit“, thanë nga organizata.
Zgjidhjet për deponinë me krom gjashtëvalent po kërkohen në studimin e përgatitur nga GIM-i për tejkalimin e përhershëm të këtij problemi të rëndë industrial në vend.
Ujërat nëntokësore në afërsi të deponisë së Jugohromit janë të ndotura me krom gjashtëvalent deri në 100.000 herë mbi vlerat e lejuara, ndërsa më shumë se 7.300 tonë të këtij mbeturi jashtëzakonisht kancerogjen, të depozituar vetëm një kilometër larg fshatit Jegunovcë, rrezikojnë ta ndotin përgjithmonë burimin e Rashçes dhe ta lënë Shkupin pa ujë të pastër për pije. Mbetjet industriale, të hedhura për dekada në një sipërfaqe prej 7,5 hektarësh, treten në ujë, por pavarësisht kësaj, ende qëndrojnë të pambrojtura.
Deponia, e cila renditet ndër pikat e nxehta industriale në Maqedoni, përmban 2,2 milionë tonë mbetje të depozituara gjatë periudhës 1963–2016, prej të cilave rreth 7.388 tonë janë krom gjashtëvalent. Katastrofa ekologjike është vetëm çështje kohe nëse nuk ndërmerren masa urgjente për zgjidhjen e përhershme të problemit.
Deponia ndodhet vetëm 50 metra larg lumit Vardar dhe 80 metra larg akuiferit karstik që furnizon burimin e Rashçes, një burim uji të pijshëm me interes strategjik shtetëror, i cili ndodhet brenda zonës së tij mbrojtëse. Deponia përmban sasi të mëdha të mbetjeve të rrezikshme, të cilat treten lehtësisht në ujë, por pavarësisht kësaj, ajo nuk është e mbrojtur as në sipërfaqe dhe as në fund.
Stacioni i trajtimit të ujërave të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, ku duhet të grumbullohen dhe të trajtohen ujërat nëntokësore, është joadekuat dhe nuk ka kapacitet të mjaftueshëm. Edhe funksionimi i sistemit të drenazhimit është i diskutueshëm. Për këtë arsye, shpesh ndodh që ujërat e kontaminuara nga deponia të derdhen në lumin Vardar në sasi të mëdha, që arrijnë nga 50 deri në 100 metra kub në ditë.
Përqendrimet e kromit gjashtëvalent në ujërat nëntokësore arrijnë nga 10 deri në 500 miligramë për litër, madje deri në 1.000 miligramë për litër në sistemin e drenazhimit, ndonëse vlera e lejuar është 0,01 miligram për litër.
- LEXO: Mund të humbet granti prej gjysmë milioni eurosh për Jugohromin, pritet nënshkrimi i ministrit Muhamet Hoxha
- LEXO: Eko-svest kërkoi nga ministri i Mjedisit të ndërmarrë urgjentisht masa për zgjidhjen e problemit me Jugohromin
- LEXO: Deponia e Jugohromit kërcënon Rashçen, ujërat nëntokësore kanë 50.000 herë më shumë krom gjashtëvalent sesa që lejohet