UDHËTIMI
Para gjysmë shekulli e nisa udhëtimin nëpër kohë. Valixhet e shpirtit i kisha të mbushura me iluzione, dëshira, ëndrra, pritje dhe skica jetësore.
Gjatë udhëtimit dëgjova për njëfarë Gilgameshi. E admirova ngulmimin dhe çmendurinë e tij për të bërë të pamundurën.
Takova shumë njerëz. Rrija gjatë me ata dhe më vonë nuk më kujtoheshin. Rrija vetëm ca çaste me të tjerë e të tjera dhe gjatë gjithë udhëtimit më ndjek hija e tyre.
Ndonjëherë e kujtoj fillimin, kur ngatërrohesha rrugicave të errëta që nuk çonin askund.
Shpërfilla shumë gjëra të bukura. Isha i pavëmendshëm ndaj carpe – diemave. Lëndova shumë njerëz me indiferencën dhe mungesën time.
Qe pranverë kur u nisa e tani është vjeshtë.
Ndonjëherë ndjehem i rënduar nga një peshë sfilitëse.
Ndonjëherë jam i shkrifët dhe moskokëçarës për gjërat që dikur i pandehja të rëndësisthme.
Ndonjëherë më shpejtohet t’ bëj gjërat që duheshin bërë në gjysmën e udhës.
Ndonjëherë ligështohem dhe besoj se në fund të udhëtimit do të mbetet vetëm pluhur.
Sërish më kujtohet Gilgameshi, që s’e dinte se përjetësia është e lodhshme, një udhëtim i pambarimtë dhe i pakuptimtë.
Gjithnjë e më shpesh kthej sytë drejt qiellit.
Nuk e shikoj pozitën e diellit, as nuk merakosem për kohën që rrjedh dhe e humb kuptimin.
Më vjen keq që i kushtova pak vëmendje asaj kaltërsie, ku gjatë natës derdhen yjet dhe si xixëllonja e zbukurojnë jetën si në ditët e para të udhëtimit…
Tani, kur rruga shkurtohet, valixhet e mbushura me vite bëhen më të rënda. Janë të mbushura me brenga, trishtime, kujtime dhe ankthe pritjeje. Helmi i përvojës i mbyt kimerat e pasionit dhe i sheh si të rrezikshme hyjneshat e marrëzisë, që u japin kuptim ditëve të sunduara nga rutina.
Rrugës humba shumë dëshira.
Si gjethe vjeshte u thanë shumë shpresa.
Shpesh përballem me çështjen: A mos paskam ecur rrugës ku ecën gjithë të tjerët, në vend se të krijoja udhën time?
Dhe më kujtohet vargu i Antoni Machado-s: “Udhëtar, udhë nuk ka, ato bëhen duke ecur”.
Udhëtoj…
Lëvizjet bëhen më të ngathta. Ndiej më shumë nevojë për ndihmën e të tjerëve, si në ditët e para të udhëtimit…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.