ALBANIZMI (II)

Sipas Pavlloviqit para gjysmës së dytë të shek. XIX nuk ka pasur një armiqësi evidente serbo shqiptare, ata kanë jetuar në harmoni apo lumturisht (they lived happily). Retorika e albanizmit – që zanafillën e ka te Kisha dhe te kultura orale, fshatare, lahutare e “akademisë” se të verbërve të Irigut (Srem), te manastiri Hopovo dhe këngët adhurimore (klanjalice) – është një formacion diskursiv antishqiptar, një ideologji që sot e këtë ditë prodhon ose legjitimon përçarje, stereotipe dhe armiqësi ndërfqinjësore dhe ndëretnike. Siç shprehet Jovan Cvijiq, ikonë e mendimit testamentar serb (f. 101), serbët janë popull i rrethuar, i burgosur, i cili duhet t’i zgjerojë mushkëritë për të marrë frymë. Shteti nacional është e drejtë e natyrshme e çdo populli,  andaj “nga brezat e rinj pritet t’i çlirojnë pjesër e robëruara të serbizmit dhe t’i bashkojnë ato në një shtet të vetëm”. (f. 108) Duhet të kthehen në tokat nga të cilat janë shpërngulur në vitin 1690, kur Çarnojeviqi iku me ndjekësit e vet në Banat dhe Baçkë.

Albanizmi, si një formë e “histerisë antishqiptare”, në epiqendër e vë Kosovën, pra realizon një kosovarizim të megaideologjisë serbe (velikosrpstvo). Ai kalon nga shqiptari i besës, i burrërisë, trimi (Konda dhe Musa Kesexhia), dinariku ekzemplar, kalorësiaku dhe mikpritësi, “që ka prejardhje të përbashkët me serbët” (f. 22), vëllami apo pobratimi te shqiptari mysliman, që “u ka bërë serbeve të këqija më të mëdha se vetë turqit”. (f. 8) Në këtë drejtim Kosova paraqitet si një qëllim territorial dhe lufte, imazh metafizik, si ideal religjioz-etik, si një gjeografi e vetësfidimit panserb, një kauzë shekspiriane, “biti il ne biti” (Me qenë e a mos me qenë.). Etosi apo epika kosovare, sipas autorit, përbën një nga shkaqet e përgjakjeve në rajon, përfshirë edhe ato të fundit të shekullit XX. Ky hiperprodhim i letërsisë mesjetare, i ngritur në nivel imperativi ideologjik dhe i ndërlidhur me simbole si Zoti dhe besimi i krishterë, ka kontribuar në hapjen e portave të ferrit në Ballkan. Miti i Kosovës është shpikje e traditës nacionale në kuptimin e Hobsbawmit (f. 44), është luftënxitës, imperialist, barbar dhe gjenocidal. Është një mesazh i kolektivizmit të paepur, që nxit adhurimin e vdekjes dhe luftës, është shprehje e antihumanizmit partikularist (Spasiq).

Nga ana tjetër thirrja e Pavlloviqit është që t’i jepet fund albanizmit, si një diskurs, si model përfaqësimi dhe tërësi stereotipesh përmes të cilave ndërtohet figura e shqiptarit si „Tjetri“, të kalohet në një fazë të re në raportet shqiptaro-serbe dhe vice versa. “Një shekull i tërë që e kemi lënë pas është çuar dëm në konflikte dhe armiqësi serbo-shqiptare.” Master narrativa albanizuese që bazën e ka te histeria antishqiptare në fund të shek. XIX dhe fillim të atij XX, duhet të përfundojë. Duhet dhënë fund medievalizimit (mesjetarizimit) dhe mitizimit të çështjes së Kosovës si djep i Serbisë, legjendës për “popullin qiellor” me të cilat masa është mëkuar ndër shekuj. Kjo narrativë brezave të ardhshëm serbë u ka lënë trashëgimi  luftën që është shndërruar në filozofi jete.

Në një intervistë për revistën Vreme (10 mars 2021) Pavlloviqi për motivin e përpjekjeve intelektuale për dekonstruktim të mitit të Kosovës dhe debetonizim të perceptimeve negative serbo-shqiptare thotë: “Si përfitues i fondeve publike, ndiej detyrimin të promovoj përmbajtje që na pajtojnë dhe na afrojnë me fqinjët dhe me botën, e jo të thellojnë vetizolimin dhe autizmin tonë shoqëror. Në përgjithësi, mendoj se intelektualët duhet ta kenë për detyrë të rishqyrtojnë, të vënë në pikëpyetje, të problematizojnë dhe, mbi të gjitha, të kritikojnë gjendjen ekzistuese, duke synuar ndryshime pozitive, e jo t’i shërbejnë diskursit dominues dhe politikës zyrtare.” Ngjashëm siç kanë bërë Tucoviqi (1908) i cili ka pohuar se fatkeqësitë serbe vijnë si pasojë e hyrjes në tokë të huaj. Dështimi katastrofal i ushtrisë serbë për të dalë në Adriatik (1912), depërtimi në “Arbaninë fatkeqe” – që do të krijonte një fait accompli – në “këtë varrezë dhe turp serb” dhe golgota shqiptare (1915-1916) përbëjnë periudhën vendimtare për instalimin e albanofobisë te serbët që ka marrë në qafë njerëzit për një shekull, duke shkaktuar armiqësinë serbo-shqiptare që është gjallë edhe në ditët tona.

Albanizmi është një ideologji serbe që ka lindur nga poezia e natyrshme (naturpoesie), spontane, nga populli i thjeshtë dhe më pas është shndërruar në poezi artificiale (Kunstpoesie) të krijuar nga njerëzit e ditur. Këta të fundit kanë prodhuar “kalvarin ballkanik” të fundshekullit XX kur humbën jetën qindra mijë njerëz, pjesa dërrmuese boshnjakë e shqiptarë, si rrjedhim i procesit të paraqitjes së tjetrit si dash kurbani (scapegoating).

Kjo klimë e ka përshfirë edhe një pjesë të qarqeve intelektuale maqedonase që në Enciklopedinë trevëllimëshe (Македонска енциклопедија) i kanë quajtur shqiptarët si “montanjerë”, kolonizatorë që në viset e Maqedonisë kanë ardhur në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre, si malësorë me origjinë sllave të konvertuar në islam (të “albanizuar”) gjatë periudhës osmane. Fryma serbe dhe serbofilia që dominon në opinionin publik maqedonofon ka gjeneruar etiketime për shqiptarët si “pleme” (tribu), “shiptarana”, “indijanci” etj. Pra albanizmi është i fuqishëm po aq edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe si kulturë masovike dhe si syresh intelektuale.

Do shënuar se në Serbi ka një plejadë elitare që kërkon normalizimin e raporteve me shqiptarët, që madje kërkon falje publike për gabimet e bëra si Bogdan Bogdanoviq, Ivan Çolloviq, Sonja Biserko, Latinka Peroviq, Dushan Janjiq, Nenad Çanak etj. Ky qark përpiqet për një qasje pragmatike në lidhje me Kosovën, për pranim të realitetit në terren dhe për perspektivë europiane të të gjithë rajonit. Në kontekstin e RMV-së nuk është shfaqur një elitë e tillë e guximshme që me gjuhë publicistike dhe shkencore do t’i thyejë paragjykimet rreth shqiptarëve.

Nga analiza e librit të Pavlloviqit konstatojmë se kënga, poezia dhe inetelktualizmi i njëanshëm mund të vrasin, mund të shkaktojnë pogrome, gjenocide. Dialektika mes dy kombeve është tepër e rrezikshme për fatin e tyre. Desakralizimi dhe trajtimi objektiv i historisë janë kusht për shpëtimin nga halucinacionet, vetëmashtrimi kolektiv dhe përafrim mes dy kombeve. Elita intelektuale shqiptare në RMV duhet me të gjitha mjetet racionale të pengojë diskursin albanizues që prej neve bën malësorë primitivë dhe rrëmon multikulturalizmin dhe bashkëjetesën shekullore në këtë vend. Dealbanizimi është kusht për bashkëjetesë të shëndoshë që tejkalon atë “pranë njëri-tjetrit” apo “të detyrueshme”. Të jetuarit në të njëjtin territor apo tolerimi i pranisë e njëri-tjetrit janë të pamjaftueshëm për një ardhmëri pozitive. Ndryshimi i vetë-perceptimit dhe i perceptimit të tjetrit janë conditio sine quan non i bashkëjetesës së mirëfilltë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.