U zhvillua mbledhja e redaksive vendore Kosovë-Shqipëri për fazën përfundimtare të “Enciklopedisë Shqiptare”

Gjatë javës së fundit të muajit mars të vitit 2025 në Vërmicë (Prizren) të Kosovës u zhvillua mbledhja e dy redaksive vendore për fazën përfundimtare të shqyrtimit e miratimit të fjalësit të projektit madhor “Enciklopedia shqiptare”, shkruan Portalb.mk.

Kjo mbledhje u zhvillua pas përfundimit të punës prej 27 redaksive të fushave (më 20 shkurt 2025) për hartimin e fjalësve të përbashkët dhe të unifikuar për çdo fushë.

Deri më 19 mars 2025 redaksitë vendore në Tiranë dhe Prishtinë kryen shqyrtime mbi këtë fjalës, me objekt pune verifikimin e zbatimit të kritereve të njëjta në përzgjedhjen e zërave.

Takimin e Vërmicës e drejtuan kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe zëvendëskryeredaktori Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Aziz Pollozhani redaktor përgjegjës i Redaksisë së posaçme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, për Portalb.mk tha se “Enciklopedia Shqiptare” është një aktivitet shumë madhor dhe i vetëm, dhe i pari që bëhet i këtij dimenzioni, i cili do të ketë mëse 10 mijë fjalë në 10 vëllime nga një mijë fjalë secili, dhe do të punohet 2-3 vitet e ardhshme, duke përfshinë 29 fusha të ndryshme.

“U mbajt takimi i cili në parim përfundoi fazën e parë dhe shumë të rëndësishme të enciklopedisë që po punohet, që quhet definimi i fjalëve, i fjalësit ose zërave që do të përfshihen në Enciklopedinë Shqiptare. Mbas një harmonizimi të gjatë të dy redaksive duke përfshirë edhe redaksinë tonë të posaçshme, arritëm në pajtueshmëri, gjithë fjalët, në enciklopedi kjo quhet fjalësi, ose gjithë zërat siç është mësuar të njihet më shumë në leksikografi, dhe mbetet tani që përfundimisht redaksia qendrore të verifikon këtë fjalësh dhe të filloj faza e dytë, e cila ka për detyrë të kategorizoj zërat”, tha Pollozhani.

Fotografi nga mbledhja e kryesisë. Foto: Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Facebook)
Fotografi nga mbledhja e kryesisë. Foto: Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Facebook)

Pollozhani theksoi se kjo enciklopedi ka për qëllim të paraqes argumentet që lidhen me identitetin shqiptar.

“Enciklopedia Shqiptare” ka për qëllim që të paraqes faktet argumentet dhe njohuritë që lidhen me identitetin shqiptar, pa marrë parasysh a janë ato në Shqipërinë e sotshme administrative, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në vendet tjera ku jetojnë shqiptarët, ata që kanë ndikuar me punën dhe veprat e tyre në faza të caktuara të identitetit shqiptar ndër shekuj”, tha Pollozhani.

Se cilat kanë qenë sfidat deri në përfundimin e fazës përfundimtare të Enciklopedisë Shqiptare Pollozhani tha se sfidë kryesore të redaksisë e kanë pasur harmonizimi i disa të dhënave i disa zërave, të cilët për arsye të qëndrimeve të ndryshme dhe të një kaluare politike në të kaluarën, ndryshimet të bazuara mbi ideologjitë të ndryshme, faktografive të ndryshme dhe të ndikimeve të tjera ose njohurive të tjera që janë ditur dhe s’janë ditur kanë qenë një sfidë për të ardhur deri te një zë i cili në një farë mënyre me argumente nga secila palë do të bëheshe i pranushëm dhe do të përmbushte kriteret.

Ai tha se edhe anëtarët e redaksisë së Maqedonisë së Veriut kanë bërë një punë të madhe, duke mbledhur dhe duke kompenzuar zërat e gjitha fushave.

“Anëtarët e redaksisë së Maqedonisë së Veriut janë: Prof. Aziz Pollozhani- Redaktor përgjegjës i Redaksisë se posaçme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Prof. Valbona Toska anëtare e Redaksisë qendrore të ESH, Prof. Fatmir Sulejmani anëtar, Prof. Zeqirija Ibrahimi, anëtar, Prof. Fehari Ramadani anëtar, Prof. Dita Starova anëtare, kanë bërë një punë të madhe, duke mbledhur dhe duke kompensuar zërat e gjitha fushave në një farë mënyre por gjithsesi për këtë punë kemi kërkuar dhe ndihmën e ekspertëve të tjerë, të cilët nuk janë anëtarë të redaksisë por kanë shprehur dëshirë dhe na kanë ndihmuar në përpilimin e disa fushave në një farë mënyre kanë pasur specifikën e vet të kyçen në enciklopedinë në fazën e shkrimit të artikujve dhe me këtë mendoj që edhe shqiptarët e Maqedonisë të jenë pjesë dinjitoze, shumë përmbajtësore që prezantohen në enciklopedi me gjithë përfshirjen e vet dhe me kontinuitetin e vet historik ashtu siç është realiteti dhe ashtu siç e njohim nga historia”, tha Pollozhani.