U nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e tunelit të përbashkët Maqedoni-Kosovë, në drejtimin e ri rrugor Tetovë-Prizren

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për projektimin e ndërtimit të tunelit në drejtimin e ri rrugor Tetovë – Prizren, transmeton Portalb.mk.

Studimi i fizibilitetit tregoi se më optimale është itinerari që fillon nga Tetova përmes Kodrës së Diellit, Brodecit dhe përfundon në Veshallë në anën maqedonase dhe përmes një tuneli do të lidhet me territorin e Republikës së Kosovës.

“Ne si shtet avokohemi për hapjen e plotë të rajonit, sepse ky rajon është i begatë. Aktivitet më të madh ekonomik do të kemi vetëm nëse kemi lidhje më të mira mes vendeve dhe popujve. Në këtë moment po punohet në lidhjen rajonale me të gjithë fqinjët e Maqedonisë së Veriut”, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski.

“Lidhja me Kosovën do të bëhet përmes ndërtimit të një tuneli 6.4 km të gjatë, për të cilin sot e nënshkruam këtë marrëveshje mes dy vendeve. E përmenda se është zgjedhur zgjidhja më optimale sepse rruga kalon nëpër qendrën e skijimit Kodra e Diellit, e cila është avantazh i madh për zhvillimin dhe rritjen e turizmit në këtë rajon. Ky është fillimi i një projekti të ri infrastrukturor që padyshim do të forcojë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer ekonomik me Kosovën”, tha zëvendësministri Bekim Rexhepi.

“Ishte një kënaqësi e madhe të filloja në këtë mënyrë me zgjedhjen e një projektuesi për ndërtimin e tunelit të përbashkët. Rruga Tetovë – Prizren do të jetë pjesë e rrugës që çon në Kodrën e Diellit dhe do të duhet të ndërtojmë edhe 17 kilometra rrugë shtesë për të cilën do të fillojmë projektimin. Me tunelin e përbashkët që do të ndërtojmë, i cili është 6.4 kilometra i gjatë dhe do të jetë pjesë e Korridorit 8, po përmirësojmë infrastrukturën rrugore ndërmjet vendeve fqinje në rajon dhe mes qyteteve Shkup, Tiranë dhe Prishtinë”, tha drejtori Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi.

Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, theksoi se nga ana kosovare tashmë po punohet në rrugën që duhet të lidhet me Maqedoninë e Veriut përmes ndërtimit të tunelit të ri.

Të dy delegacionet zhvilluan takim dypalësh ku konfirmuan bashkëpunimin e mirë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës dhe theksuan rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për një integrim më të shpejtë evropian të rajonit.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 29 nëntorit miratoi marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë-Prizren, e cila u paralajmërua të nënshkruhet para në gusht të vitit që lam pas.

BDI rrugën Tetovë-Prizren e premtoi në katër palë zgjedhje parlamentare

Pavarësisht se rruga do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, partia shqiptare në pushtet, BDI ndër vite ka premtuar realizimin e të njëjtës.

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.