Mexhiti premtoi objekt të ri për klinikën “Shën Naumi i Ohrit”, pacientët u ankuan se nuk ka termine

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti premtoi investim të ri në Klinikën për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”, gjegjësisht një objekt shtesë me pesë salla operacioni. Gjatë bisedës së tij me pacientët në klinikë, ata u ankuan se duhet të presin shumë kohë për termine, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i klinikës, Ljuben Arsenkov në fjalimin e tij përpos promovimit të aparateve, kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që të ndërtojnë një objekt të ri me pesë salla për operacion në parkingun pranë Klinikës mirëpo  Qendra e Konservimit nuk ua lejon këtë projekt për shkak se mbrohet si objekt arkitektonik.

“Më besoni, funksionaliteti i kësaj pune është shumë i madh, pesë salla operative me operative me të gjitha standardet botërore janë shpëtim për kirurgjinë në Maqedoni. Të gjitha sallat janë të mbingarkuara, do të kemi hapësira të reja në spital. Ndërtesa është e vjetër 93 vjet, çdo kënd është i zënë. Por, kemi një problem, besoj se ministri do të ndihmojë. Qendra e konservimit nuk na lejon ta bëjmë këtë objekt dhe ta kombinojmë me klinikën për shkak se mbrohet si objekt arkitektonik. Këtë po ua tregoj sot sepse ka rëndësi të veçantë për interesin publik. Nuk e shëmton objektin, nuk dëmtojmë asgjë”, tha doktor Arsenkov.

Ministri Mexhiti, menjëherë ia pranoi kërkesën drejtorit duke thënë ” E kryme është kjo punë” dhe tha se pas zgjedhjeve do ta kryejë atë.

Pacientët u ankuan se duhet të presin shumë kohë për të caktuar termin

Pas promovimit të aparateve, ministri i Shëndetësisë bisedoi edhe me pacientët që gjendeshin në klinikë.

Një paciente e cila e kishte këmbën të bërë operacion dhe tash duhet që të vazhdojë me rehabilitim fizik, u ankua se nuk i ka takuar rehabilim në ndonjë banjë.  Ajo gjithashtu u ankua se kur ka shkuar te mjeku amë në Kozle nuk ka pasur asnjë termin dhe është detyruar me këmbë të lënduar me autobus të vijë deri në Klinikën për Sëmundje Kirurgike “Shën Naumi i Ohrit”

Një paciente tjetër gjithashtu pyeti se përse po pritet aq shumë për termine dhe se tashmë gjashtë muaj po pret për një termin.

Ministri Mexhiti pacientët i siguroi se janë duke punuar që t’i minimalizojnë problemet me terminet por se për këtë duhet kohë.

“Me “Termini im” veçmë punojmë për 10 muaj dhe pajtohem me ju se ende ka probleme por nëse ju them se sot do t’i zgjedhim dhe nesër do të jetë i rregulluar, nuk do të mundet. Do të na duhet kohë dhe ne në përqindje jemi duke i përmirësuar terminet por do të na duhet kohë. Pajtohem me ju se ka probleme, se ka lëshime dhe ka keqpërdorime”, tha Mexhiti.

Klinika u pajis me dy aparate të rinj

Kjo klinikë sot mori dy aparate të rinj, një për trajtimin e gurëve në veshkë dhe një për mamografi të gjirit. Në promovimin  e tyre, morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Aparati për litotripsi shërben për thyerjen e gurëve në veshka dhe në traktin urinar dhe ka vlerë prej 42 milion denarësh. Aparati mundëson trajtimin e pacientëve me procedurë minimale invasive dhe pas ndërhyrjes pacientët do të duhet të qëndrojnë në spital më së shumti një ditë.

Aparati i ri në Klinikën për Sëmundje Kirurgike “Shën Naumi i Ohrit”, foto nga Ministria e Shëndetësisë
Aparati i ri në Klinikën për Sëmundje Kirurgike “Shën Naumi i Ohrit”, foto nga Ministria e Shëndetësisë

Ndërkaq, aparati ri për mamografi do të mundësojë kryerjen e mamografisë dhe eko të gjirit në të njëjtën kohë.

“Bëhet fjalë për aparat për litotripsi ekstrakorporale, me procedurë minimale invazive për thyerjen e gurëve në veshka dhe në traktin urinar. Pritet që çdo vit të trajtohen qindra pacientë me këtë patologji, të cilët pas ndërhyrjes do të qëndrojnë të shtruar në spital vetëm një ditë, ose do të lëshohen në të njëjtën ditë. Gjithashtu, sot po promovojmë aparatin e ri të mamografisë me tomosintezë dhe biopsi stereotaktike të gjirit, të instaluar në repartin e ri radiodiagnostik ku kemi dy kabinete gjiri. Është instaluar doppler i ri me ultratinguj echo kolor për ECHO gjiri, i cili do të mundësojë kryerjen e mamografisë dhe ECHO të gjirit në të njëjtën kohë”, tha ministri Mexhiti.

Ai gjithashtu shtoi se programi ndërkombëtar i skriningut për zbulimin e hershëm të kancerit të gjiri do të vazhdojë edhe këtë vit.

Aparati i ri në Klinikën për Sëmundje Kirurgike “Shën Naumi i Ohrit”, foto nga Ministria e Shëndetësisë
Aparati i ri në Klinikën për Sëmundje Kirurgike “Shën Naumi i Ohrit”, foto nga Ministria e Shëndetësisë

 

Kryeministri i Maqedonisisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i cili gjithashtu mori pjesë në promovimin e aparateve të rinj tha se aparatet janë mundësuar me financim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe se me to do të rritet efikasiteti në zbulimin e hershëm të kancerit në gji.

“Me këto aparatura të reja do të rritet efikasiteti në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe njëkohësisht do të lehtësohen kapacitetet e sistemit shëndetësor duke i dhënë mundësinë që këto kontrolle të bëhen në më shumë vende se sa ka qenë më parë.  Investimi total për pajisjet e reja që patëm rastin të shohim sot është rreth 1 milion euro, para të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Kujtojmë se me 10 janar, u vendos në funksion Poliklinika e Sarajit me 26 punonjës shëndetësor dhe do disponojë me shërbime shëndetësore për kujdes shëndetësor parandalues dhe kujdes shëndetësor specialisto-konsultativ. Poliklinika është e pajisur me  laborator biokimik, kabinet të diagnostikimit me rreze X, një kabinet ORL dhe një kabinet dermatovenerologjik. Investimi kap shifrën e 1,3 milion eurove.