Qeveria e RMV-së miratoi marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë-Prizren, por nuk shpalosi detaje

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme e ka miratuar marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë-Prizren, e cila u paralajmërua të nënshkruhet para dy muajve, por asgjë nga marrëveshja nuk është bërë publike, njofton Portalb.mk.

“Në ditën e sotme festive të 28 nëntorit, vazhdojmë punën në drejtim të përforcimit të lidhjeve tona kombëtare! Dua të ndaj me ju një lajm të bukur, në seancën e sotme të Qeverisë miratuam marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë – Prizren duke shënuar kështu zyrtarisht fillimin e procedurave për realizimin e këtij projekti madhor që do të jetë një shteg i ri cilësor komunikimi me Republikën e Kosovës”, shkruan zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi në Facebook.

Detaje tjera shtesë për këtë marrëveshje nuk japin funksionarët, ndërkaq në kumtesën zyrtare të Qeverisë madje nuk përmendet fare.

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, gjithashtu njoftoi në Facebook për miratimin e marrëveshjes, duke cilësuar se me këtë po konkretizohet projekti.

“Po e konkretizojmë edhe një investim tjetër kapital strategjik për vendin, investim i cili jep edhe një alternativë tjetër për zhvillimin e turizmit, rritjen e shkëmbimit tregtar në mes vendeve tona dhe që do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe përmirsimin e standardit jetësor për të gjithë qytetarët”, shkruan Rexhepi në Facebook, por edhe ai si kolegu i tij, nuk jep sqarime për përmbajtjen e marrëveshjes.

Më 6 shtator të këtij viti, drejtori i NPRSH-së, Ejup Rustemi deklaroi se ministritë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm, ndërkaq Ministria e RMV-së, e ka dërguar në Kosovë versionin e parë për marrëveshje, për çka do të duhet të kthejnë vërejtje dhe më pas autoritetet e RMV-së t’i shqyrtojnë dhe nga fundi i shtatorit të ketë marrëveshje, e cila planifikon projektimin e tunelit të përbashkët prej 6,4 kilometra.

Pas asaj, siç tha Rustemi, do të vazhdohet me projektimin e rrugës (në RMV) që çon deri në hyrje të tunelit. “Së pari, kemi projektin, kemi revidimin e projektit dhe mbas asaj realizimin e punimeve”, tha Rustemi.

Nga ana tjetër, pala kosovare, vetëm se ka filluar me shpronësimin e tokave ku do të kalojë rruga në fjalë.

Më 12 tetor të këtij viti, ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu njoftoi se Qeveria ka miratuar vendim për shpronësimin e parcelave që prekin trasenë e projektit të rrugës Prizren-Tetovë.

“Më lejoni që t`ju njoftoj që qysh sot do të shpallim njoftimin për kontratë për ndërtimin e kësaj rruge”, njoftoi Aliu.

Rruga në fjalë do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, por partia shqiptare në pushtet, BDI nuk ka arritur që ta jetësojë këtë projekt me rëndësi të madhe për Kosovën dhe RMV-në.

Portalb.mk, në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet:

  • 2011

Programi “Bashkë drejt qëllimit”, 2011

“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.

  • 2014

Programi zgjedhor 2014

Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën

  • 2016

Zgjedhje 2016 – Në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është premtim i dhënë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

  • 2020

Programi i BDI-se zgjedhje parlamentare 2020:

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Më 16 gusht, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Alium, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, e ka vizituar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin, mes tjerash ka folur edhe për rrugën Tetovë-Prizren. Vizita e ministrit Aliu erdhi vetëm disa ditë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurtit në Shkup dhe Tetovë, ku ai u takua vetëm me përfaqësuesit e opozitës shqiptare. Gjatë vizitës në Tetovë, Kurti vizitoi fshatin Vicë ku foli për rrugën që duhet të çojë për në Prizren, por nëpërmjet këtij fshati nuk do të shtrihet traseja e zgjedhur nga Qeveria, pasi që rruga parashikon të nis nga Tetova, nëpërmjet Kodrës së Diellit, Shipkovicës dhe mbaron në Brodec.