U konfirmuan 64 vatra të lisë te delet, rreth 10 mijë kanë ngordhur 

Janë konfirmuar 64 vatra të sëmundjes së lisë te delet, transmeton Portalb.mk

Sipas të dhënave të fundit , 50 vatra janë në Rajonin Lindor, shtatë në Rajonin Verilindor, gjashtë në Rajonin e Vardarit dhe një në Rajonin e Shkupit. 

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski u bëri apel blegtorëve që t’u përmbahen në mënyrë të vazhdueshme rekomandimeve të institucioneve kompetente, t’i raportojnë me kohë rastet e dyshimta dhe të shmangin përdorimin e pajisjeve të përbashkëta pa dezinfektim paraprak. 

“Sigurimi i vaksinave nuk do të nënkuptojë automatikisht fillimin e vaksinimit. Vendimi do të bazohet në vlerësimin profesional të gjendjes epidemiologjike, rrezikut dhe pasojave të mundshme veterinare-shëndetësore dhe ekonomike nga vaksinimi”, theksoi Serafimovski. 

Ai ka thënë se blegtorët, tufat e të cilëve janë prekur nga shfaqja e lisë te delet, do të kompensohen. 

Kujtojmë se disa muaj më parë u pas paraqitjes së lisë te delet dhe dhitë në Komunën e Likovës AUV, shtoi kontrollet te delet dhe dhitë.

Nëse blegtorët vërejnë simptoma apo ndryshime të papritura te kafshët, përfshirë edhe rritje të ngordhjeve, duhet të njoftojnë shoqëritë veterinare dhe Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.

Institucionet kompetente po zbatojnë masa kontrolluese dhe mbrojtëse në zonën reth fermave ku është konfirmuar sëmundja.