Paraqitja e lisë te delet dhe dhitë, AUV thotë se kafshët e prekura do të asgjësohen, blegtorët kërkojnë vaksinim urgjent

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) njoftoi se është duke monitoruar vazhdimisht situatën me shfaqjen e lisë te delet dhe dhitë dhe po ndërmerr masa për kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Nga AUV bëjnë të ditur se pas marrjes së informacionit për një rast të dyshimtë, merren mostra të gjakut dhe strisho për të konfirmuar praninë e virusit, shkruan Portalb.mk.

“Pas konfirmimit të sëmundjes, drejtori i AUV-së merr vendim për zbatimin e masave kontrolluese dhe mbrojtëse, me ç’rast kryhet eutanazia e kafshëve dhe groposja e tyre”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

AUV thekson se ekipet veterinare janë vazhdimisht në terren dhe se gjendja po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Sa i përket vaksinimit, Agjencia thotë se ka kërkuar donacione vaksinash nga Komisioni Evropian dhe Republika e Turqisë, ndërsa është kërkuar sërish ndihmë edhe nga ekipi EUVET i Komisionit Evropian.

“Pas marrjes së përgjigjes për vaksinimin, do të bëhet testimi i sigurisë dhe pastërtisë së vaksinës, pas së cilës do të fillojë vaksinimi”, njofton AUV.

Agjencia paralajmëron blegtorët që të mos kryejnë vaksinime në mënyrë të pavarur.

“Çdo vaksinim me shpenzime të vetë blegtorit, pa vaksinim të miratuar nga Agjencia, do të sanksionohet dhe nuk do të bëhet kompensimi i kafshëve të sëmura, përkatësisht dëmshpërblimi për kafshët e asgjësuara”, theksohet në njoftim.

Nga ana tjetër, blegtorët situatën me sëmundjen e lisë te delet e kanë konsideruar alarmante dhe kanë kërkuar vaksinim urgjent nga ana e shtetit.

Siç thanë në konferencën e sotme për media para Qeverisë, deri tani kanë ngordhur nga 7.000 deri në 10.000 dele, janë asgjësuar 40 deri në 50 tufa dhe çdo ditë shfaqen vatra të reja, ndërsa disa blegtorë i dërgojnë kafshët në tregjet e bagëtive pa e ditur nëse janë të infektuara.

“Sot në mëngjes na telefonoi ministri dhe na njoftoi se kanë negociuar për vaksinën përmes Ambasadës së Turqisë. Presim që sa më shpejt të sillet, në mënyrë që t’i shpëtojmë tufat. Në Maqedoni tani ka rreth 250.000 deri në 300.000 dele, ndërsa deri tani nga lija kanë ngordhur 7.000 deri në 10.000, e ndoshta edhe më shumë. Institucionet sikur nuk po e marrin këtë seriozisht”, deklaroi Naser Xhemaili, kryetari i Lidhjes së Rritësve të Deleve.

Blegtorët kërkojnë të krijohet fond i veçantë për kompensimin e blegtorëve, kafshët e të cilëve kanë ngordhur, si dhe t’u paguhen subvencionet për këtë vit, në mënyrë që, siç thonë, familjet që merren me blegtori të mund të rimëkëmben.

“Shteti le të përpiqet dhe të na hapë tregje të reja. Serbia në maj hapi tregun për eksport në Algjeri. Nëse Bashkimi Evropian nuk na lejon, nëse kjo është çmimi për t’i shpëtuar delet tona dhe për ta shpëtuar blegtorinë e deleve në Maqedoni, le të përpiqen dhe të na gjejnë tregje të reja. I vetmi argument për të mos e zbatuar vaksinimin mund të jetë ndoshta fakti se Bashkimi Evropian do të na vendosë ndalim për eksport. Megjithatë, as për këtë nuk ka të dhëna zyrtare, sepse realisht as mishi i kafshëve të prekura nga sëmundja nuk është i dëmshëm për njerëzit, e as mishi pas vaksinimit”, deklaroi Milena Veliçkoviq, rritëse e deleve nga Kumanova dhe anëtare e Bordit Drejtues të Lidhjes.

Kujtojmë se disa muaj më parë u pas paraqitjes së lisë te delet dhe dhitë në Komunën e Likovës AUV, shtoi kontrollet te delet dhe dhitë.

Nëse blegtorët vërejnë simptoma apo ndryshime të papritura te kafshët, përfshirë edhe rritje të ngordhjeve, duhet të njoftojnë shoqëritë veterinare dhe Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.

Institucionet kompetente po zbatojnë masa kontrolluese dhe mbrojtëse në zonën reth fermave ku është konfirmuar sëmundja.