BE-ja rrit investimet në Grenlandë pas kërkesave të Trumpit për aneksim
Pritet që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot të njoftojë rritjen e investimeve të BE-së në Grenlandë dhe forcimin e lidhjeve politike me territorin arktik të Danimarkës, për të cilin Donald Trump ka insistuar se duhet t’u përkasë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Portalb.mk.
Von der Leyen ka mbërritur në Grenlandë për një vizitë dyditore, si shenjë mbështetjeje për qeveritë e Grenlandës dhe Danimarkës, të cilat e kanë kundërshtuar fuqishëm fushatën e Trumpit për aneksimin e ishullit më të madh në botë.
Pritet që von der Leyen të prezantojë planet për investime në sektorë që përfshijnë mineralet kritike, komunikimet satelitore dhe energjinë e rinovueshme në Grenlandë, territor gjysmëautonom që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Të dielën në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës, von der Leyen tha se paketa do të jetë e rëndësishme, por nuk dha detaje. Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se vendi i tij dëshiron ta forcojë miqësinë e ngushtë dhe partneritetin e mirë me BE-në.
Vizita e von der Leyen pasqyron rëndësinë në rritje gjeopolitike të Arktikut për fuqitë e mëdha si SHBA-ja, Rusia, Kina dhe Evropa, pasi shkrirja e akullit po hap rrugë të reja detare dhe po e bën më të qasshme pasurinë minerare të rajonit.
“Peizazhet mahnitëse dhe bukuria natyrore e Grenlandës do të mbeten gjatë me mua. Por do të mbeten edhe gjurmët e dukshme të ndryshimeve klimatike në shtresën e akullit”, shkroi von der Leyen në X pas një udhëtimi me anije nën qiellin e kaltër dhe të pastër, në një fjord të mbushur me copa akulli.
Trump shkaktoi krizë në marrëdhëniet SHBA-Evropë dhe trazira brenda aleancës ushtarake transatlantike NATO këtë vit, kur i intensifikoi kërkesat që SHBA-ja të kontrollojë Grenlandën, duke pretenduar se Danimarka, e cila është anëtare e NATO-s, nuk është në gjendje ta mbrojë atë.
Zyrtarët evropianë kanë theksuar se Grenlanda është pjesë e territorit të NATO-s, që do të thotë se mbulohet nga marrëveshja e mbrojtjes së ndërsjellë të aleancës dhe se SHBA-ja tashmë ka të drejtë ta rrisë praninë e saj ushtarake atje, në bazë të një marrëveshjeje afatgjatë.
Tensionet u ulën pasi Trump dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u pajtuan në Davos në janar se SHBA-ja, Danimarka dhe Grenlanda do të nisnin bisedime për zgjidhjen e dallimeve të tyre, ndërsa NATO do ta forconte rolin e saj në sigurinë e Arktikut.
Megjithatë, bisedimet trepalëshe ende nuk kanë çuar në marrëveshje, ndërsa në samitin e NATO-s në Turqi në korrik, Trump përsëriti insistimin e tij se SHBA-ja duhet ta kontrollojë Grenlandën.
Edhe pse Danimarka është anëtare e BE-së, Grenlanda u largua nga blloku në vitin 1985. Megjithatë, banorët e saj, si shtetas danezë, janë gjithashtu qytetarë të BE-së.
BE-ja prej kohësh siguron fonde për Grenlandën, kryesisht për pagesën e të drejtave të peshkimit dhe mbështetjen e sistemit të saj arsimor. Paketa që do të prezantojë von der Leyen do të përfaqësojë jo vetëm një rritje të madhe të financimit, por edhe zgjerim të sektorëve që do të përfitojnë fonde nga BE-ja, sipas zyrtarëve evropianë.