Dyshime për shkelje të konkurrencës: Kontrolle në disa qendra të grumbullimit të prodhimeve bujqësore dhe të kopshtarisë në RMV

Komisioni për Vendimmarrje për Kundërvajtje pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, ka zhvilluar aktivitete kontrolluese në më shumë se 30 qendra grumbulluese në territorin e komunave Gjevgjeli, Strumicë, Krivogashtan dhe Resnjë, të cilat merren me grumbullimin e produkteve bujqësore dhe produkte të kopshtarisë. Në kuadër të kontrolleve, ndër të tjera, janë përfshirë grumbullimi i specave dhe mollëve, transmeton Portalb.mk.

Aktivitetet kontrolluese janë zhvilluar përmes inspektimeve të drejtpërdrejta dhe mbledhjes së të dhënave dhe dokumentacionit nga qendrat grumbulluese, me qëllim përcaktimin e mënyrës së formimit të çmimeve të grumbullimit, kushteve në të cilat zhvillohet grumbullimi, si dhe mënyrës se si qendrat grumbulluese i përcaktojnë dhe i shpallin çmimet e tyre.

Gjatë përpunimit të deritanishëm të të dhënave dhe dokumentacionit të mbledhur, janë konstatuar indikacione të caktuara që tregojnë për shkelje të mundshme të rregullave që janë në kompetencë të Komisionit.

Komisioni në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me analizën dhe verifikimin e detajuar të të dhënave dhe dokumentacionit të mbledhur, pas së cilës, në përputhje me faktet e konstatuara dhe kompetencat ligjore, do të ndërmerren masat përkatëse.

“Komisioni thekson përkushtimin e tij për zbatimin dhe respektimin konsekuent të rregullave të konkurrencës dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë aktive në të gjitha rastet kur ekzistojnë indikacione për shkeljen e tyre, me qëllim sigurimin e kushteve të barabarta për konkurrencë në treg dhe mbrojtjen e interesave të të gjithë pjesëmarrësve në treg”, thuhet në njoftim.