U arrestuan shtatë persona në Shkup pasi tentuan të djegin një sinagogë
Policia e Maqedonisë së veriut ka arrestuar shtatë persona nën dyshimet se kanë tentuar të djegin një objekt fetar të Shoqërisë hebraike në Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Ministria për Punë të brendshme e ka zbardhur rastin e 12 prillit, kur në ora 04:50 u tentua të digjet një objekti fetar të Shoqërisë hebraike në Shkup”, raporton Policia.
Ndaj tyre është ngritur kallëzim penal, ndërsa për dy persona është caktuar paraburgim. Në paraburgim, për “terrorizëm” është 21 vjeçarit A.L. nga Shkupi dhe 38 vjeçarit A.R. nga Shkupi.
“Policia ka kryer bastisje në 13 lokacione në territorin e Shkupit, duke arrestuar shtatë persona, konfiskim të lëndëve dhe mjeteve elektronike që lidhen me veprën penale”, raportoi Policia.
Ndryshe, ambasadorja izraelite në Maqedoninë e Veriut, Vivian Eisen, kishte publikuar pamje të përpjekjes për t’i vënë flakën sinagogës në Shkup. Ajo ka shpërndarë në rrjetin e saj X një video ku shihen dy persona duke kaluar mbi gardh dhe duke iu afruar hyrjes së një ndërtese. Më pas, ata spërkasin një lëng të ndezshëm, hedhin një pishtar dhe i vënë zjarrin objektit.
“Një incident thellësisht shqetësues antisemit në Maqedoninë e Veriut, i pari që nga viti 1945, godet vetë vlerat e bashkëjetesës që komuniteti hebre i vlerëson. Unë mbështes komunitetin dhe u bëj thirrje autoriteteve të vendit të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë”, kishte deklaruar ambasadorja Eisen në rrjetin X.