Tre lojtarë të Realit u arrestuan për skandal seksual

Tre lojtarë të Real Madridit janë arrestuar, ka shkruar të enjten mbrëma mediumi spanjoll “El Confidencial”, raporton Koha.net. Ky medium ka thënë se lojtarët janë arrestuar pasi nëna e vajzës së një adoleshenteje ka shkuar në polici për ta paraqitur filmimin e videos seksuale të incizuar nga një person, i cili ua kishte dërguar po të njëjtën dy të tjerëve.

Lojtarët janë arrestuar të enjten në mëngjes, ka shkruar “El Confidencial”.

Hetimet janë ende duke vazhduar, ndonëse emrat e lojtarëve nuk janë përmendur.

Por, thuhet se njëri prej tyre është i skuadrës së të rinjve të Real Madridit, një tjetër është lojtar rezervist i skuadrës dhe një tjetër i takon skuadrës së tretë të Realit.

Burimet në Polici, sipas këtij mediumi, kanë thënë se edhe lojtarë të tjerë mund të arrestohen, përfshirë edhe lojtarë të ekipit të parë.

Real Madridi e ka konfirmuar rastin dhe ka shkruar në komunikatë se janë katër të arrestuar. “Real Madridi njofton se ka mësuar se një lojtar i Castillas dhe tre lojtarë të Real Madridit C kanë dhënë deklarata në Gardën Civile në lidhje me ankesën për shpërndarjen e një videoje private në ‘WatsApp’. Kur klubi t’i mësojë të gjitha faktet, do të marrë masat e nevojshme”, ka shkruar Real Madridi në komunikatën për media.