Burri nga Maqedonia e ngacmoi seksualisht një 15 vjeçare në fluturimin për në Zagreb

Para disa ditësh ka ndodhur një incident dramatik në një fluturim ndërkombëtar drejt aeroportit të Zagrebit, i cili përfundoi me arrestimin e një shtetasi 65-vjeçar të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin për abuzim seksual të një fëmije. Rrethanat në të cilat u zbulua incidenti janë edhe më të pazakonta, transmeton SDK.

Një vajzë 15-vjeçare, e cila po udhëtonte e vetme drejt Zagrebit, thirri stjuardesën dhe i kërkoi të shikonte diçka në telefonin e saj. Kur stjuardesa mori pajisjen, në ekran u shfaq mesazhi: Kam shumë frikë nga ky burrë; a mund të më ndihmoni në ndonjë mënyrë?

Duke kuptuar seriozitetin e situatës, por duke u shtirur sikur gjithçka ishte në rregull, stjuardesa i tha vajzës se do ta shoqëronte deri te tualeti, por në vend të kësaj e dërgoi në kabinën e pilotit.

Atje, vajza shpjegoi se një burrë i moshuar i panjohur, i cili ishte ulur pranë saj, kishte filluar t’i prekte organet gjenitale menjëherë pas ngritjes së avionit, duke u shtirur se po e ndihmonte të lidhte rripin e sigurimit.

Nga kabina e pilotit menjëherë u kontaktua kulla e kontrollit në aeroportin e Zagrebit. Si rezultat, pas uljes në aeroportin ‘Franjo Tugjman’, shtetasi 65-vjeçar i Maqedonisë së Veriut u prit nga zyrtarë policorë, të cilët i kërkuan të shkonte me ta për t’u marrë në pyetje.

Gjatë marrjes në pyetje, ai i mohoi akuzat, të cilat prokurorët i kanë cilësuar si veprime të pahijshme dhe pretendoi se nuk e kishte prekur fare vajzën, por vetëm ia kishte zgjatur rripin e sigurimit që ajo ta lidhte vetë.

Megjithatë, ndërhyrja policore u shndërrua në hetim penal. Nga aeroporti ai u dërgua në departamentin e policisë kriminalistike, më pas në Prokurorinë Komunale të Shtetit, pastaj në gjykatë dhe, në fund, në burgun ‘Remetinac’.