Në fund të muajit tetor në Shkup do të mbahet takimi i ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme nga BE dhe Ballkani Perëndimor 

Shkupi do të jetë nikoqir i takimit të ministrave të punëve të brendshme dhe atyre të drejtësisë, ministra që vijnë nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.

“Dëshiroj të shpreh gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut që për herë të tretë të jetë nikoqir i Forumit Ministror për Drejtësi dhe Punë të Brendshme BE-Ballkani Perëndimor, i cili këtë vit mbahet më 26-27 tetor, në Shkup në përputhje me programin dhe prioritetet e Presidencës së radhës të Mbretërisë së Spanjës me Këshillin e BE-së”, deklaroi ministri Oliver Spasovski.

Ministri Spasovski sot në Tiranë zhvilloi me homologun spanjoll Fernando Grande – Marlaska Gomez, të cilët janë pajtuar për nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëpunim policor.

“Forumi përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të krijuar partneritete afatgjata, për të forcuar bashkëpunimin rajonal për të përballuar në mënyrë efektive sfidat dhe për të arritur standardet evropiane, deri në anëtarësimin e plotë në BE”, vlerësoi Spasovski