Toshkovski: Janë rreth 500 persona që kanë mbushur 18 vjet, le të shkojnë nesër të fotografohen

Gjendja e sigurisë në territorin e vendit është stabile, njoftoi sot ministri teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, pas vizitës në SPB Shkup. Po ashtu, Toshkovski në prag të zgjedhjeve, u bëri thirrje të gjithë të rinjve të cilët nesër i kanë mbushur 18 vjet që të shkojnë për t’u fotografuar për letërnjoftim, e cila, tha ai, do të përgatitet brenda një kohe të arsyeshme dhe që të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, transmeton Portalb.mk.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një numër të madh personash, pra rreth 500 persona dhe procedura mund të përfundojë brenda një dite.

Lidhur me dinamikën e prodhimit të dokumenteve personale, Toshkovski tha se aktualisht është duke punuar me kapacitet të plotë, por se nuk pret të rritet në periudhën në vijim.

“Për dhënien e pasaportës sipas procedurës emergjente duhen pesë deri në shtatë ditë, ndërsa sipas procedurës së rregullt duhen rreth dy muaj. Të mos gabohemi, këto janë kapacitetet”, tha Toshkovski.

Ministri i Punëve të Brendshme tha gjithashtu se në prag të zgjedhjeve, gjatë vizitës së sotme në SPB Shkup, është njoftuar se gjendja e sigurisë në territorin e Shkupit dhe në tërë territorin e vendit është stabile.

Ministria për Punë të Brendshme para disa ditësh paralajmëroi që procedura për nxjerrjen e pasaportave me procedurë të shpejtë tashmë është më efikas, pasi mund të kryhet brenda ditës.

Ndryshe, qytetarët kanë paguar mbi 13 milionë euro për lëshimin e pasaportave në procedurë urgjente në gjysmë viti, sipas analizës së BIRN, bazuar në të dhënat e marra nga Ministria e Punëve të Brendshme.