RMV, të shtunën do të bëhet fotografim pa termine për dokumente personale për shtetasit që kanë mbushur 18 vjeç e që s’kanë dokument biometrik

Qytetarët të cilët kanë mbushur 18 vjet dhe nuk kanë asnjë dokument biometrik, të shtunën do të mund t’i bëjnë fotografim për dokumente personale pa termin, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Synimi, siç thotë MPB, është që këta persona të marrin dokumentet në kohë në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, transmeton Portalb.mk.

Fotografimi mund të bëhet në zyrat rajonale për çështjet administrative në të gjithë vendin, nga ora 08:00 deri në orën 15:00.

“Ftojmë qytetarët që kanë mbushur 18 vjeç dhe nuk kanë asnjë dokument biometrik të paraqiten të shtunën në zyrat rajonale për çështje administrative në të gjithë vendin, në mënyrë që të fotografohen dhe të prodhohet në kohë dokumentet personale, në mënyrë që të të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e sotëm të MPB-së.

Ministria për Punë të Brendshme para disa ditësh paralajmëroi që procedura për nxjerrjen e pasaportave me procedurë të shpejtë tashmë është më efikas, pasi mund të kryhet brenda ditës.

Ndryshe, qytetarët kanë paguar mbi 13 milionë euro për lëshimin e pasaportave në procedurë urgjente në gjysmë viti, sipas analizës së BIRN, bazuar në të dhënat e marra nga Ministria e Punëve të Brendshme.