Thirrje për regjistrim, Ambasada e RMV-së në Abu Dhabi shqyrton evakuimin e qytetarëve nga zonat e luftës

Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Abu Dhabi njofton se, në koordinim me autoritetet e Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretëria e Arabisë Saudite, po shqyrton mundësinë e riatdhesimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Evakuimi parashihet të realizohet me transport tokësor me autobusë drejt Arabisë Saudite (13–15 orë), dhe më pas me fluturime nga territori saudit. Autoritetet saudite do të lëshojnë viza humanitare në pikën kufitare, bazuar në një listë zyrtare të përgatitur nga Ambasada dhe MPJ, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët e interesuar duhet të regjistrohen përmes numrit zyrtar të Ambasadës ose email-it përkatës, duke dorëzuar të dhënat e kërkuara.

“Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Abu Dhabi, në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, po shqyrton mundësinë e riatdhesimit dhe evakuimit të qytetarëve tanë që ndodhen aktualisht në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe përtej kufirit tokësor drejt Mbretërisë së Arabisë Saudite, dhe prej andej me avionë që nisen nga territori i Mbretërisë së Arabisë Saudite. Transporti nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Mbretërinë e Arabisë Saudite do të kryhej në rrugë tokësore me autobusë dhe do të zgjaste nga 13 deri në 15 orë”, njoftojnë nga Ambasada.

Përmes një kërkese/Shënimi zyrtar nga Ambasada dhe Ministria e Punëve të Jashtme bazuar në një listë të paraqitur, autoritetet e Arabisë Saudite do të lëshonin viza humanitare për qytetarët e Maqedonisë së Veriut në vetë pikën kufitare.
Lista duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:
– të dhënat e sakta (emri dhe mbiemri)
– numrin e dokumenteve të udhëtimit me datën e vlefshmërisë,
– detajet se nga cila pikë kufitare do të hyjnë
– orën dhe datën e mbërritjes, dhe
– vendi i mbërritjes dhe i nisjes,

“U kërkojmë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që janë të interesuar për këtë mundësi të regjistrohen në numrin e zyrtar të Ambasadës +971 56 441 7532 si dhe në adresën e email-it: [email protected]”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, sipas informacioneve të fundit të marra nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, aktualisht më shumë se 400 qytetarë kanë kërkuar informacion në lidhje me mundësinë e evakuimit, ndërsa rreth 30 prej tyre kanë shprehur gatishmërinë për t’u larguar nga vendi në rastin e parë të mundshëm, njofton Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Me të gjithë personat e regjistruar mbahet komunikim i rregullt dhe i vazhdueshëm, gjatë të cilit po ndërmerren aktivitete përgatitore për ndihmë të mundshme dhe evakuim të sigurt të tyre, varësisht nga zhvillimi i situatës.

Paralelisht, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore po marrin të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen dhe zbatimin e sigurt të evakuimit të qytetarëve që kanë shprehur gatishmërinë për ta bërë këtë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme thotë është në komunikim të vazhdueshëm me vendet mike dhe partnerët ndërkombëtarë me qëllim koordinimin dhe zbatimin me sukses të procedurës.

Për qytetarët që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtetin e Katarit, sipas informacioneve dhe udhëzimeve nga institucionet kompetente, aktualisht nuk ka kushte të sigurta për evakuim. Për qytetarët maqedonas që ndodhen në Izrael, alternativat e mundshme për evakuimin e tyre të sigurt tashmë po shqyrtohen dhe koordinohen në mënyrë aktive.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, nëpërmjet linjës telefonike dhe nëpërmjet misioneve diplomatike dhe konsullore, mbetet plotësisht në dispozicion të qytetarëve. Edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë që ndodhen në vendet e rajonit që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale kompetente të sigurisë”, thonë nga ministria.

MPJ ka publikuar edhe numrat e ambasadave ku do të mund të kërkohet ndihmë: Ambasada në Doha (+974 50 173 111), Abu Dabi (+971 56 441 7532), Tel Aviv (+972 54 500 8566 & +972 54 967 0546), ndërsa SOS numri i kujdestarisë në Ministri është 075 273 732.

Ndryshe në Maqedoni dje u mblodh Këshilli i Sigurisë, pas çka u konstatua se situata aktualisht është e qëndrueshme dhe e sigurt.

Mëngjesin e 28 shkurtit Izraeli filloi sulmin ndaj Iranit, ndërsa më pas u bashkëngjitën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmet nisën teksa bisedimet mes Washingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit kanë qenë në vazhdim nën ndërmjetësimin e Omanit, raundi i fundit i bisedimeve në përfundoi të enjten në Gjenevë.