SHBA dhe Izraeli e sulmuan Iranin, gjithçka që po ndodh
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer të shtunën sulme të përbashkëta në mbarë Iranin, duke nxitur sulme hakmarrëse nga Teherani, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Shpërthime të shumta janë dëgjuar në disa qytete iraniane, përfshirë kryeqytetin, Teheran, ku raportohet se janë shënjestruar zyra e liderit suprem, Ayatollah Ali
Kahmenei dhe ajo e presidentit, Masud Pezeshkian. Gjendja e tyre nuk dihet.
Presidenti amerikan, Donald Trump, teksa konfirmoi sulmet, i tha popullit iranian se “ora e lirisë suaj po afron”.
Për shpërthime, sirena alarmi dhe tym është raportuar në gjithë rajonin e Gjirit, pasi Irani u zotua për “përgjigje shkatërruese” ndaj sulmeve amerikano-izraelite.
Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Bahreini dhe Jordania kanë bërë të ditur se po i rrëzojnë raketat e lëshuara nga Irani drejt bazave ushtarake amerikane në territoret e tyre.
Agjenci lajmesh në Iran raportojnë për gati 40 të vrarë pas sulmit në një shkollë. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë këto raportime. Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se një civil u vra nga mbetjet që ranë pas një goditjeje “që përfshinte raketa balistike iraniane”.
Irani po përballet me ndërprerje pothuajse totale të internetit, si dhe një valë të gjerë sulmesh kibernetike, andaj verifikimi i situatës në terren është vështirësuar.
Disa liderë botërorë kanë bërë thirrje për zgjidhje diplomatike.
Më shumë rreth sulmit të raportuar ndaj një shkolle për vajza
Hollësitë për një sulm të supozuar nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj një shkolle për vajza në Minab, në jug të Iranit, mbeten të paqarta.
Zyrtarë iranianë dhe mediat shtetërore kanë deklaruar se sulmi vrau 40–85 njerëz, kryesisht vajza të reja. Video nga vendi i ngjarjes shfaqin rrënoja dhe çanta të shpërndara.
Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e dënoi atë që e quajti “akt barbar” që ka “shkaktuar dhimbje të thellë në zemrat e popullit iranian”.
Megjithatë, ka pasur pohime të kundërta online, kryesisht nga llogari të opozitës iraniane, që thonë se sulmi në të vërtetë u shkaktua nga një raketë e humbur e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).
Sipas disa raporteve të lajmeve, ekziston një bazë e IRGC-së në Minab.
Pamjet që u shpërndanë gjerësisht në X, që supozohej të tregonin pasojat e sulmit, në të vërtetë tregonin pasojat e një sulmi të talibanëve ndaj një shkolle ushtarake në Peshawar, Pakistan, në vitin 2014.
Valë e re e sulmesh në Iran
Radio Farda e Radios Evropa e Lirë ka mësuar për shpërthime të dëgjuara në qytetet Teheran, Karaj dhe Garmdareh.
Agjencitë e lajmeve brenda Iranit kanë raportuar se një shpërthim i fortë është dëgjuar në Teheran në mbrëmjen e së shtunës.
Raporte të ngjashme për shpërthime janë shfaqur edhe nga disa qytete të tjera në mbarë Iranin, sipas burimeve të pavarura të lajmeve.
Ngushtica e Hormuzit raportohet të jetë mbyllur
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës botërore, është mbyllur.
Agjencia britanike e Operacioneve të Tregtisë Detare njoftoi të shtunën se ka marrë disa raportime nga anije që operojnë në Gjirin Persik, të cilat kanë thënë se kanë pranuar mesazhe për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Nuk ka ndonjë konfirmim nga Irani deri tani.
Ngushtica e Hormuzit është një grykë e vogël, por rreth 20 për qind e naftës së botës qarkullon nëpër të – apo mbi 15 milionë fuçi çdo ditë.
Shtetet sikurse Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari – madje edhe vetë Irani – varen nga kjo ngushticë për të eksportuar naftë dhe gaz.
Prandaj, nëse ajo mbyllet, ndikimi ndihet në gjithë botën.
Irani ka kërcënuar me mbyllje të ngushticës edhe në të kaluarën.
Dhe, teknikisht mundet ta bëjë këtë – duke e bërë kalimin nëpër të shumë të rrezikshëm, ose edhe duke ndalur përkohësisht mallrat.
Irani ka ndërtuar fuqi të madhe në rajon: anije të shpejta sulmuese, mina detare dhe raketa kundër anijeve.
Raportohet se ministri i Brendshëm iranian dhe komandanti i Gardës Revolucionare janë vrarë
Ministri i Brendshëm Iranian, Amir Nasirzadeh dhe komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammed Pakpur raportohet të jenë vrarë në sulmet izraelite, kanë thënë dy burime të afërta me operacionet, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Më herët gjatë ditës, mediat izraelite kanë raportuar se Pakpur, Nasirzadeh dhe shefi i inteligjencës së Iranit janë vrarë si pasojë e sulmeve.
Ministri i Jashtëm Iranian: Khamenei dhe Pezeshkian janë gjallë
Ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araqchi ka thënë se liderët më të lartë iranianë janë gjallë dhe që pothuajse “të gjithë zyrtarët janë të sigurt dhe mirë”.
Ai e ka pranuar për rrjetin televiziv amerikan NBC se mund të ketë humbje në mesin e zyrtarëve ushtarakë, duke thënë se “mund të kemi humbur një ose dy komandantë, por ai nuk është problem i madh. Jemi duke e menaxhuar situatën”.
Araqchi ka thënë se Irani nuk po synon të zgjerojë konfliktin dhe nuk synon t’i sulmojë vendet fqinje, mirëpo bazat amerikane në ato vende, si shenjë vetëmbrojtjeje.
Kur është pyetur direkt për liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe presidentin Masud Pezeshkuan, ai ka thënë: “Me aq sa di, po, ata janë gjallë”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban takim më vonë gjatë ditës
Një takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është thirrur më vonë gjatë së shtunës në Nju Jork.
Thirrje për takim kanë bërë Bahreini, Kolumbia, Kina, Rusia dhe Franca.
Njoftimi vjen pasi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i ka dënuar sulmet e së shtunës në Lindje të Mesme.
Ushtria izraelite: Figura të larta iraniane janë vrarë
Një zyrtar i ushtrisë izraelite ka thënë se “figura të larta” të regjimit iranian janë “eliminuar” pas sulmeve të së shtunës, pa përmendur emra specifikë.
Zyrtari ka thënë se tri qendra ku ishin mbledhur pjesëtarë të Qeverisë iraniane janë goditur në të njëjtën kohë.
Sipas tij, ushtria izraelite ka qenë në “bashkëpunim të ngushtë” me ushtrinë amerikane dhe e ka ndërtuar një listë “të gjatë dhe të vlefshme” të shënjestrave.
Trumpi përballë Teheranit: Cili është objektivi final?
Analistët thonë se synimi i administratës Trump duket të jetë ose detyrimi i Iranit për një marrëveshje shumë më kufizuese, ose krijimi i kushteve që mund të çojnë në destabilizimin apo edhe kolapsin e regjimit.
“Të paktën 20 provinca janë prekur nga sulmet”
Zëdhënësi i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe në Iran ka thënë se mbi 20 provinca janë prekur në gjithë shtetin nga sulmet amerikane dhe izraelite të së shtunës.
Mojtaba Khaledi ka raportuar se ekipet për kërkim-shpëtim janë duke punuar për t’i identifikuar të plagosurit dhe vdekurit, pas një sulmi në një shkollë në qarkun Minab.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë “distancë 100-metërshe” nga zonat e prekura dhe të shmangin tubimet nëpër ato lokacione.
Më herët gjatë ditës, guvernatori i Minabit, qytet në jug të Iranit, ka thënë se 40 nxënës janë vrarë si pasojë e sulmeve amerikano-izraelite.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këtë pretendim në mënyrë të pavarur.
Situata në Izrael
Izraelitët nëpër qendrat e strehimit në shtetin e tyre, pas nisjes së sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit. Irani është zotuar se do të kundërpërgjigjet.
Raportimet për viktimat
Zyrtarë të lartë amerikanë u kanë thënë gazetarëve se deri më tani nuk është raportuar për viktima amerikane nga sulmet hakmarrëse iraniane kundër bazave ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt, Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.
Macron: Përshkallëzimi është “i rrezikshëm për të gjithë”
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka reaguar ndaj zhvillimeve në Lindje të Mesme, duke thënë se “shpërthimi i luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, bart pasoja të thella për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Duke e përshkruar përshkallëzimin si “të rrezikshëm për të gjithë”, ai ka thënë se regjimi iranian “duhet ta kuptojë se nuk ka mundësi tjetër përveç angazhimit me bindje të mira në negociata, për t’iu dhënë fund programeve bërthamore dhe të raketave balistike, si dhe aktiviteteve rajonale destabilizuese”.
“Populli iranian duhet të ketë mundësi të ndërtojë të ardhme të lirë”, ka thënë ai në një postim të X, duke bërë të ditur se kërkon takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa do të konsultohet me aleatë evropianë dhe rajonalë.
Raportohet për dëme në rezidencën e Khameneit
Christiaan Triebert nga The New York Times, i specializuar në verifikimin me burime të hapura dhe analizën e gjeolokacionit, ka publikuar në X një imazh satelitor të rezidencës zyrtare të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në Teheran, ku shihen disa ndërtesa të rrafshuara me tokën.
Më herët u raportua se vala e parë e sulmeve amerikane dhe izraelite më 28 shkurt kishte në shënjestër disa zyrtarë të lartë të Republikës Islamike, përfshirë Khamenein dhe presidentin Masud Pezeshkian.
Mediat shtetërore njoftuan se të dy nuk janë lënduar nga sulmet.
Raportohen shpërthime në gjithë Gjirin, teksa Irani konfirmon sulme ndaj bazave amerikane
Mes raportimeve për sulme në mbarë Lindjen e Mesme, shtetet e Gjirit Persik kanë reaguar ndaj zgjerimit të sulmeve iraniane me raketa dhe dronë, që synojnë objekte ushtarake amerikane dhe kryeqytete rajonale.
Një valë e re shpërthimesh u raportua në Abu Dabi, ndërsa Reuters dhe AFP, duke cituar dëshmitarë lokalë, njoftuan për incidente të shumta.
Katari mbylli hapësirën e tij ajrore pas sulmeve të mëhershme me raketa dhe deklaroi se rezervon të drejtën për t’u përgjigjur.
Arabia Saudite dënoi atë që e quajti “agresion brutal iranian” dhe “shkelje flagrante” të sovranitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Katarit, Kuvajtit dhe Jordanisë, megjithëse nuk konfirmoi se ishte shënjestruar, pavarësisht raportimeve për shpërthime në Riad.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit pretenduan se kanë goditur baza amerikane në Bahrein, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së, dhe thanë se operacionet do të vazhdojnë.
Më herët, sirena alarmi dhe shpërthime u raportuan në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, si dhe në Abu Dabi, Dubai, Riad dhe Kuvajt.
Bahreini konfirmoi se ka pasur një sulm me raketë ndaj qendrës së shërbimeve të Flotës së Pestë.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se kanë interceptuar disa raketa, por raportuan një viktimë. Katari tha se të gjitha raketat e lëshuara drejt vendit janë shkatërruar. Reuters raportoi gjithashtu për një sulm ajror ndaj selisë së Forcave të Mobilizimit Popullor në Bagdad, Irak.
Kryeministri australian: Australia është me popullin iranian
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ka thënë se shteti i tij “qëndron me popullin guximtar të Iranit, në betejën e tyre kundër shtypjes”.
Në një postim në X, ai ka thënë se Australia mbështet Shtetet e Bashkuara “teksa veprojnë për të parandaluar Iranin nga posedimi i armës bërthamore dhe që Irani të mos vazhdojë të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Ai e ka përshkruar regjimin iranian si “forcë destabilizuese” që “nuk mund të lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore”.
Albanese ka thënë se thirrjet ndërkombëtare ndaj Teheranit për t’i respektuar “të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të shtetit iranian nuk janë dëgjuar”, teksa ka shtuar se “një regjim që shtyp dhe vret popullin e tij për të mbajtur pushtetin, nuk ka legjitimitet”.
Anulohen shumë fluturime
Pas sulmeve, shumë kompani ajrore ndërkombëtare i kanë anuluar fluturimet në mbarë Lindjen e Mesme.
Sipas të dhënave nga Flightradar24, hapësira ajrore midis Iranit dhe Irakut ishte e zbrazët mëngjesin e së shtunës. Këto janë vetëm disa nga kompanitë që kanë pezulluar ose anuluar fluturimet:
- Turkish Airlines ka anuluar fluturimet drejt disa destinacioneve në Lindjen e Mesme pasi disa shtete mbyllën hapësirën e tyre ajrore.
Fluturimet për në Liban, Siri, Irak, Iran dhe Jordani janë anuluar deri më 2 mars.
Fluturimet për në Katar, Kuvajt, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman janë anuluar për sot. - Air France i ka anuluar fluturimet për dhe nga Tel Avivi në Izrael dhe Bejruti në Liban për ditën e shtunë.
- KLM e ka pezulluar më herët linjën Amsterdam – Tel Aviv.
- Kompania gjermane Lufthansa i ka pezulluar fluturimet për dhe nga Tel Avivi (Izrael), Bejruti (Liban) dhe Omani deri më 7 mars, si dhe fluturimet për dhe nga Dubai gjatë së shtunës dhe të dielës.
- Wizz Air i ka pezulluar fluturimet për dhe nga Izraeli, Dubai, Abu Dhabi dhe Aman deri më 7 mars.
- Japan Airlines i ka anuluar fluturimet nga Tokio për në Doha, si dhe fluturimin e kthimit më 1 mars.
Reagimet e para të BE-së pas sulmit ndaj Iranit
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, i cilësoi zhvillimet në Lindjen e Mesme si “të rrezikshme”, pasi forcat amerikane nisën operacione ushtarake në Iran.
“Regjimi iranian ka vrarë mijëra njerëz. Programet e tij të raketave balistike dhe bërthamore, së bashku me mbështetjen për grupe terroriste, përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë globale. BE-ja ka miratuar sanksione të forta kundër Iranit dhe ka mbështetur zgjidhje diplomatike, përfshirë çështjen bërthamore”, shkroi Kallas në platformën X.
Ajo konfirmoi se ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Saar, si dhe me ministra të tjerë në rajon, duke theksuar se BE-ja po koordinohet ngushtë edhe me partnerët arabë për të shqyrtuar rrugë diplomatike për tejkalimin e krizës.
Kallas njoftoi gjithashtu se personeli joesencial evropian po tërhiqet nga rajoni përmes rrjetit konsullor. Ajo theksoi domosdoshmërinë e mbrojtjes së civilëve dhe paralajmëroi se respektimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare duhet të jetë prioritet.
Zyrtari izraelit: Khamenei dhe Pezeshkian u shënjestruan në sulme
Një zyrtar izraelit ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e kanë shënjestruar liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe presidentin iranian, Masud Pezeshkian në sulmet e së shtunës, mirëpo rezultati nuk dihet ende.
Megjithatë, agjencitë iraniane të lajmeve kanë raportuar se Pezeshkian, shefi i gjyqësorit Gholamhossein Mohseni Ejei, dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi “gëzojnë shëndet të mirë”.
Ndërprerje “pothuajse totale e internetit” në Iran
Mbikëqyrësi i të drejtave digjtale, Netblocks raporton se Irani tani po përballet me “ndërprerje pothuajse totale të internetit”.
Muajin e kaluar qasja në internet në Iran ishte bllokuar për një kohë relativisht të gjatë, teksa zhvilloheshin protesta kundër regjimit.
Grupet për të drejta të njeriut patën thënë se autoritetet kanë vepruar ashtu për t’i fshehur shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e forcave të sigurisë, të cilat i kanë shtypur protestat me dorë të hekurt.
Shpërthime edhe në Doha
Shpërthime dhe sirenat janë dëgjuar edhe në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit ka thënë se i ka parandaluar me sukses “disa sulme që shënjestruan territorin e shtetit”, sipas medias shtetërore.
Një zyrtar i Katarit ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP se sistemet amerikane Patriot e kanë kapur një raketë iraniane.
Në Katar gjendet baza ajrore më e madhe amerikane në rajon, Al Udeid.
Ushtria izraelite po godet shënjestra ushtarake në Iran
Ushtria izraelite ka thënë në përditësimin e fundit se forca e saj ajrore është duke kryer “një numër të madh sulmesh në shënjestrat ushtarake” në perëndim të Iranit.
Më herët në mëngjes, për shpërthime është raportuar në qytetet perëndimore iraniane, Kermanshan dhe Tabriz.
Raportohet për shpërthime në Bahrejn
Mediat perëndimore janë duke raportuar se ka shpërthime edhe në Bahrejn, dhe tashmë janë lëshuar sirenat në mbarë vendin.
Në këtë shtet gjendet flota e pestë e marinës amerikane.
Pahlavi: Momente vendimtare kemi përpara
Në një video-mesazh të publikuar në rrjete sociale, Reza Pahlavi – djali i shahut të fundit të Iranit – ka thënë se “momente vendimtare kemi përpara” dhe ka pretenduar se ndihma e premtuar nga presidenti amerikan “tani ka arritur”, duke e përshkruar atë si “intervenim humanitar” që shënjestron “Republikën Islamike – aparatin e saj shtypës dhe makinerinë vrastare – dhe jo shtetin dhe kombin e mrekullueshëm të Iranit”.
Ai ka shtar se “fitorja përfundimtare do të arrihet prej nesh” dhe që “koha për t’u kthyer sërish në rrugë është afër”.
Duke iu drejtuar forcave të sigurisë, ai ka thënë se “ju jeni betuar për ta mbrojtur Iranin dhe popullin iranian, jo për ta mbrojtur Republikën Islamike”, teksa u ka bërë thirrje atyre që t’i bashkohen popullit, apo të fundosen me regjimin e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Pahlavi i ka bërë thirrje edhe presidentit amerikan, Donald Trump që të ketë kujdes maksimal për t’i mbrojtur jetët e njerëzve, dhe u ka thënë iranianëve të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre tani për tani.
“Ne jemi shumë afër fitores përfundimtare”.
Izraeli: Irani po kundërpërgjigjet me raketa
Ushtria izraelite e ka lëshuar një deklaratë duke thënë se pak kohë më parë ka identifikuar nisje të raketave prej Iranit në territorin e shtetit të Izraelit, por që ato janë duke u goditur në ajër.
Netanyahu: Po krijohen kushtet që populli iranian të marrë fatin në duart e veta
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sulmi i përbashkët amerikano-izraelit kundër Iranit “do t’i krijojë kushtet për popullin guximtar të Iranit që të marrë fatin në duart e veta”.
“Ka ardhur koha për çdo segment të popullit në Iran që të heqë thundrën e tiranisë nga (regjimi) dhe të krijojë një Iran të lirë dhe paqedashës”, ka thënë Netanyahu përmes një deklarate.
Trump, popullit iranian: Pas sulmeve, merreni në duar Qeverinë
Përgjatë fjalimit që ka bërë për të konfirmuar sulmet amerikane, Trump i ka pasur dy fjalë edhe për regjimin dhe forcat iraniane.
Ai u ka thënë pjesëtarëve të Gardës Revolucionare të Iranit që t’i ulin armët dhe ashtu mund të kenë “imunitet të plotë” ose në të kundërtën do të përballen me vdekjen.
Trump i ka thënë popullit iranian që të ketë kujdes dhe të strehohet në vende të sigurta në orët e ardhshme.
“Është shumë rrezik jashtë, bombat do të lëshohen gjithandej. Kur të përfundojmë, merreni në dorë qeverinë tuaj, do të jetë e juaja dhe kjo do të mund të jetë ndoshta mundësia e vetme ndër gjenerata. Për shumë vjet e keni kërkuar ndihmën amerikane, por nuk e keni marrë atë. Asnjë president amerikan nuk ka pasur gatishmëri të bëhet ajo që po e bëj unë tani”, ka thënë mes tjerash Trump.
Trump konfirmon sulmet amerikane
Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se ushtria amerikane ka nisur sulme në Iran.
Përmes një postimi në rrjetin social, Truth Social, ai ka thënë se “pak kohë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë nisur operacione të mëdha luftarake në Iran”.
“Objektivi ynë është që t’i mbrojmë amerikanët duke e eliminuar kërcënimin nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish të tmerrshëm”, ka thënë Trump përmes një videoje të publikuar në këtë rrjet.
“Ka qenë gjithmonë politikë e Shteteve të Bashkuara, sidomos e administratës sime, se ky regjim terrorist nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore. Po e them sërish, ata nuk mund të kenë kurrë armë bërthamore”.
Ai e ka përmendur operacionin ushtarak amerikan të qershorit të vitit të kaluar “Çekani i Mesnatës” duke thënë se përmes tij është shkatërruar programi bërthamor iranian në tri qendra Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Presidenti ka thënë se sulmet kanë ardhur pasi Shtetet e Bashkuara kanë tentuar vazhdimisht që të arrijnë marrëveshje me Iranin, por ky i fundit nuk ka pranuar.
Trump ka shtuar se tani “do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe industrinë e tyre të raketave. Do të zhduken plotësisht”. Sipas tij, ky program i raketave po kërcënon bazat amerikane në afërsi dhe aleatët rajonalë.
“Ky regjim do ta mësojë shpejt se askush nuk duhet ta sfidojë forcën dhe kapacitetin e ushtrisë amerikane”.
Izraeli dhe Irani mbyllin hapësirat ajrore
Mediat në të dyja vendet janë duke raportuar se Izraeli dhe Irani i kanë mbyllur hapësirat ajrore për fluturimet civile.
Përfshirja amerikane
Një zyrtar i lartë amerikan ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se sulmet e ushtrisë amerikane kundër Iranit kanë nisur.
Zgjerohen sulmet
Përveç sulmeve në rrugën në Teheran, ku besohet se banon lideri i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, për shpërthime është raportuar edhe në Isfahan, Kom dhe Lorestan, sipas disa agjencive iraniane të lajmeve.
Izraeli shpall gjendje të jashtëzakonshme
Ushtria izraelite ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter – se sirenat janë lëshuar në gjithë Izraelin dhe që njoftimet paraprake u kanë shkuar të gjithë banorëve nëpër telefonat e tyre, që të strehohen në zona të sigurta.
Sipas saj, këto janë masa parandaluese për shkak të mundësisë së sulmeve iraniane drejt Izraelit.