Tetovë, protestë për dy-vjetorin e tragjedisë në modular: Kërkohet drejtësi për viktimat, fajtorët mbeten në liri

Sot, 8 shtator bëhen dy vjet nga tragjedia e zjarrit të tmerrshëm që bëri hi spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 persona, pacientë dhe familjarë. Andaj sot në Tetovë do të ketë marsh protestues, në të cilin familjarët e viktimave do të kërkojnë drejtësi për jetët e humbura. Drejtësi për këtë rast ende nuk ka, fajtorët e vërtetë mbeten në liri. Madje, me ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Penal, dënimet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare do të ulen, shkruan Portalb.mk.

Protesta do të fillojë në ora 14:00 me pikënisje nga lokacioni ku ishte spitali modular, do të vazhdojë në qendër dhe më pas deri te Gjykata e Tetovës.

Paralajmërimi për protestën për modularin. Foto: Më mirë për Tetovën (Facebook)
Paralajmërimi për protestën për modularin. Foto: Më mirë për Tetovën (Facebook)

Familjarët janë shprehur se përmes kësaj proteste do të shprehin mllefin ndaj drejtësisë së munguar për familjarët e tyre. Ata kërkuan që protesta mos të politizohet.

Politika, sipas tyre, ka heshtur për këtë rast, andaj ata do të vazhdojnë protestat.

Familjarët shprehen se drejtësi në vend nuk ka, dhe nëse ky rast përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRLriaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe. Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Protestë për këtë rast muajin e kaluar organizuan nisma Më mirë për Tetovën. Protestuesit kërkuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut urgjentisht ta shkarkojë kryeprokurorin Ljubomir Joveski si dhe së bashku me prokurorët e tjerë të përfshirë në këtë vepër të përgjigjen penalisht. Gjithashtu në protestë u kërkua të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin që tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, si ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.