Tetovë, dy nxënës në tualetin e shkollës lanë letër me emra dhe kërcënime

Dy nxënës 11-vjeçarë të një shkolle fillore në Tetovë, në tualetin e shkollës kanë lënë një letër me emra nxënësish dhe kërcënime, raporton Portalb.mk.

“Sot (10.05) zyrtarët policorë nga SPB Tetovë në prani të psikologut, pedagogut dhe prindërve kanë kryer bisedë  zyrtare me një të mitur 11 vjeçare dhe një të mitur 11 vjeçare, duke vepruar sipas kallëzimit të mëparshëm, se në shkollën ku mësojnë , në tualet lanë një fletë me emra nxënësish dhe kërcënime”, informoi Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Për këtë është  njoftuar Qendra për Punë Sociale dhe Prokuroria Publike dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.

Dje, një rast i ngjashëm ndodhi në shkollën fillore “Koço Racin” në Shkup, ku një nxënëse e kësaj shkolle kishte bërë listë me kërcënime me emrat e disa nxënësve me të cilët mëson.

Ndryshe më 3 maj, një nxënës në një Shkollë në Beograd vrau me armë tetë nxënës dhe rojën e shkollës.

Dy ditë më vonë, më 5 maj, një 21 vjeçar, në Mlladenovac të Beogradit vrau tetë persona dhe 14 të tjerë plagosi, në një sulm me armë zjarri.

Për këtë, shteti serb paralajmëroi reduktimin radikal të armëve në Serbi.  Përpos kësaj qeveria serbe deklaroi edhe kontrolle ndaj të gjithë mbajtësve të armëve në mbarë vendin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Do të verifikohet, nëse armët ruhen në kushte sigurie dhe nëse garantohet ashtu si duhet që ato të mos jenë të qasshme nga persona të paautorizuar dhe nga minorenë.