Një nxënëse në Shkup ka bërë listë me emrat e shokëve të klasës të cilët dëshiron t’i lëndojë

Një nxënëse e shkollës fillore “Koço Racin” në Qendër ka bërë listë me kërcënime me emrat e disa nxënësve me të cilët mëson, konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme. Prej atje, informojnë se rastin e ka paraqitur në SPB Shkup një grua 47-vjeçare, njofton Portalb.mk.

“Është njoftuar drejtoresha e shkollës, Qendra për Çështje Sociale dhe Prokurori publik dhe po ndërmerren masa për pastrimin e rastit”, thonë nga MPB.

Siç shkruan Meta.mk, drejtoresha e shkollës, Gordana Janevska është e qasshme në telefon, por nuk dëshiron të flet në lidhje me rastin.

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski dje thirri mbledhje me të gjithë drejtorët e shkollave, në të cilën është biseduar për këtë rast.

“ne biseduam në mbledhje me kryetarin për atë, mbajmë mbledhje të jashtëzakonshme në këshillin e prindërve, këshillat e shkollave, Parlamentin e Nxënësve, Bisedojmë në drejtim të asaj se si të parandalohen problemet, pas masakrës së përgjakshme në shkollën fillore të Beogradit. Në mbledhje, drejtoresha e “Koço Racin” tregoi për rastin e nxënëses”, tha për meta.mk, drejtoresha e një shkolle në Qendër.

Ndryshe më 3 maj, një nxënës në një Shkollë në Beograd vrau me armë tetë nxënës dhe rojën e shkollës.

Dy ditë më vonë, më 5 maj, një 21 vjeçar, në Mlladenovac të Beogradit vrau tetë persona dhe 14 të tjerë plagosi, në një sulm me armë zjarri.

Për këtë, shteti serb paralajmëroi reduktimin radikal të armëve në Serbi. “Të gjithë njerëzit që kanë armë – e kam fjalën për armë gjuetie, që ndodhen në duart e rreth 400.000 personave – do t’i nënshtrohen provimit, nuk do të mbeten në posedim më shumë se 30.000 deri në 40.000 armë. Ne do të zbatojmë një çarmatim të plotë të Serbisë”, deklaroi presidenti, Aleksandar Vuçiq pas dy sulmeve.

Përpos kësaj qeveria serbe deklaroi edhe kontrolle ndaj të gjithë mbajtësve të armëve në mbarë vendin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Do të verifikohet, nëse armët ruhen në kushte sigurie dhe nëse garantohet ashtu si duhet që ato të mos jenë të aksesueshme nga persona të paautorizuar dhe nga minorenë.