Tetova me homazhe për policin e vrarë nga sulmi terrorist në veri të Kosovës (Video)

Tetova iu bashkëngjit organizimit mbarëkombëtarë për t’i bërë homazh policit Afrim Bunjaku i cili u vra nga sulmi terrorist në veri të Kosovës mëngjesin e së dielës, transmeton Portalb.mk.

Sonte në sheshin “Iliria” një grup qytetarësh bënë homazhe dhe ndezën qirinj në kujtim të polici të vrarë.

Kujtojmë që Policia e Kosovës në orët e hershme të së dielës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur në veri të vendit të banuar me shumicë serbe. Autoritetet tentuan të largojnë barrikadat në Banjskë të Zveçanit ndërsa si pasojë e përleshjeve u vra polici, rreshteri Afrim Bunjaku.

Ky grup i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës nga ku u përlesh me Policinë e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se tre sulmues u vranë ndërsa sot u raportua se u gjet edhe trupi i pajetë i një sulmuesi tjetër. Janë arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me grupin e armatosur.

Sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmuesit e ishin njësi e organizuar profesionale e cila kishte shkuar për luftë në Kosovë.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se sulmuesit ishin serbë lokalë të Kosovës, të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit. Ai dënoi vrasjen ndërsa mohoi se Beogradi ka lidhje me sulmin.

Ky sulm ndaj Policisë së Kosovës u dënua edhe nga ndërkombëtarët, SHBA-ja dhe BE-ja, liderët, politikanët e vendit dhe të rajonit.

Dita e sotme në Kosovë u shpall ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë në veri.