Kurti: Sulmet në veri janë duke vazhduar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në konferencë për media sulmet në zonën ku është vrarë zyrtari policor në veri, janë duke vazhduar akoma, transmeton REL.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

Ai ka thënë se formacioni me këta persona “profesionistë” është në dhe rrotull Manastirit në Banjskë.

Teksa i ka shfaqur disa fotografi në ekran, Kurti ka thënë se banorët lokalë serbë “nuk kanë automjete të tilla, dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës”.

“Organet tona të sigurisë dhe prokuroria, me siguri, do të zhvillojnë hetime për të kuptuar më shumë për këto uniforma”.

“Unë u bëj thirrje të gjithë atyre, edhe si formacion, edhe si individë që t’iu dorëzohen organeve të sigurisë, të cilat e kanë vendosur perimetrin rreth tyre në Banjskë”.

Përgjatë konferencës, Kurti e ka theksuar se është shumë e rëndësishme që kjo situatë të përmbyllet në mënyrë të qetë dhe më pas do të vendoset çka tutje.

Në konferencën për media, kryeministri Kurti është shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

I pyetur nëse ka mundësi që pjesëtarë të grupit mercenar rus Wagner janë infiltruar në veri të Kosovës, zëvendësdrejtori Fehmi Hoti, ka thënë se asgjë nuk është e faktuar.

”Sa i përket grupit Wagner, kemi pasur informacione edhe më herët, kemi pasur informacione që individë të grupit Wagner po lëvizin ose mund të lëvizin, ose mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar. Mirëpo deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar. Ju e dini që gjykatat kërkojnë gjithçka të dokumentuar. Andaj si informacione i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënuar ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.

Edhe Bashkimi Evropian e ka dënuar ashpër sulmin nga një “bandë e armatosur” kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do t’i drejtohet kombit përmes një fjalimi.

Një konferencë e jashtëzakonshme – e planifikuar për orën 14:00 nga shefi i kësaj Zyre, Petar Petkoviq – është anuluar.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do t’i ekspozojë të gjitha gënjeshtrat dhe shakatë e Albin Kurtit, krijuesit të kaosit dhe ferrit në Kosovë e Metohi”, ka thënë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.