Petrovska, Osmani dhe Grubi dënuan sulmin në veri të Kosovës

Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe zv.kryeministri i parë Arta Grubi, dënuan sulmin e armatosur në veri të Kosovës, ku fillimisht mbeti vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës. Më pas në përleshjet me policinë mbetën të vrarë edhe tre sulmues, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, transmeton Portalb.mk.

“Dënim i ashpër për incidentin që ndodhi sot në Kosovë dhe për të gjithë ata që kontribuan që të ndodhë. Udhëheqësit politikë modernë pritet të sjellin paqe dhe prosperitet, jo ndarje dhe konflikt. Mbështetje e plotë për KFOR-in dhe të gjitha aktivitetet e tyre të ardhshme që synojnë garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Petrovska në Facebook.

Ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, poashtu në Facebook dënoi sulmin dhe bëri thirrje që “akti i dhënës të hetohet dhe ndiqe tërësisht”, transmeton Portalb.mk.

“Dënoj fuqishëm vrasjen e policit në detyrê në veri të Republikës sê Kosovës. Ngushëllimet e mia familjes dhe miqve të oficerit të vrarë me urimet më të mira për shërimin e shpejtë të të plagosurve.
Ky akt dhune duhet të hetohet dhe të ndiqet tërësisht. Stabiliteti dhe siguria e Kosovës nuk do të cenohet nga aktet e dhunës. Siguria e qytetarëve është e para”, shkroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme i RMV-së.

Edhe zv.kryeministri i parë, Artan Grubi, dënoi vrasjen e një pjesëtari të policisë në Veri të Kosovës. Ai vlerëson se sulmi dhe vrasja e policit kosovarë është “tentativë për nxitjen e krizës dhe konfliktit me pasoja ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë.

“Të papranueshme zhvillimet e paramenduara destabilizuese në veri të Kosovës ndaj policisë dhe shtetit por edhe të rajonit. Dënoj ashpër sulmin ndaj forcave policore të Kosovës që la të vrarë efektivin Afrim Bunjaku dhe plagosi të tjerë në veri të Kosovës. Apeloj për kujdes dhe maturi, arrestim të menjërshëm të vrasësve, stabilizim të situatës, vendosmëri në rikthimin e rendit dhe ligjit dhe koordinim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku dhe uroj shërim të shpejtë të të plagosurve”, deklaroi Artan Grubi, zv.kryeministër i parë i RMV-së.

Për situatën në veriun e Kosovës reaguan edhe partitë shqiptare, BDI, Alternativa, Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Demokratike

Kujtojmë se një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Kurti ka thënë se polici i vrarë ka qenë rreshter.

Dy tjerët janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Prishtinë.