RMV, partitë shqiptare dënuan sulmin në veriun e Kosovës

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë dalë me reagim lidhur me sulmin në veriun e Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagos një tjetër. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se sulmi vrastar ndaj shtetit të Kosovës dhe policisë së vendit është sulm ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit. Ndërsa nga Lëvizja Besa kanë thënë se sulmi në Zveçan të Kosovës dëshmon se Serbia nuk heqë dorë nga terrorizmi, masakrat dhe sëmundja e saj pushtuese, të cilat Vuçiq i ka trashëguar nga Millosheviqi dhe i zbaton në mënyrë të njëjtë sikur paraardhësi i tij. Ndërkohë deri në këtë moment nuk kemi asnjë reagim nga partitë maqedonase, transmeton Portalb.mk.

“Dënoj në formën më të ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjen e efektivit si dhe plagosjen e të tjerēve në mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës. Ky provokim i rëndë është i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar, andaj dhe duhet menaxhuar me gjakftohtësi dhe mençuri për arsye se pasojat mund të janë rajonale mbi paqen dhe stabilitetin.  Këto zhvillime janë të papranueshme dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar, garantues i paqes dhe pavarësisë së Kosovës, është i domosdoshëm dhe urgjent.  Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe shërim të shpejtë të të plagosurve. “ shkruan Ahmeti në platformat socijale”, thonë nga BDI. 

Ndërkohë nga Lëvzja Besa i kanë bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që urgjentisht të marr masa, t’i bëjë presion presidentit serb që të respektojë dhe zbatojë të gjitha marrëveshjet për njohjen e Kosovës.

“Po ashtu kërkojmë që BE dhe SHBA të mbështesin Kosovën në të gjitha përpjekjes e saj për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin jo vetëm në territorin e Kosovës por edhe në të gjithë Ballkanin. Sepse sulmi i mëngjesit të sotëm dëshmon që Serbia dëshiron që në Kosovë dhe në Ballkan të ketë luftë, ndërsa kjo të fillojë me shqiptarët. Si kryetar i Lëvizjes BESA dhe i gjithë subjekti të cilin e përfaqësoj, jemi plotësisht në mbështetje të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti. Jemi të gatshëm për çdo lloj mbështetje. Po ashtu, i shprehi ngushëllime familjes së policit të vrarë dhe të gjithë popullit të Kosovës”, thonë nga Lëvizja Besa.

Besa kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut të heqë dorë nga projekti serb “Ballkani i Hapur” në të cilën iniciativë tashmë, sipas tyre, kanë mbetur vetëm Ali Ahmeti dhe Dimitar Kovaçevski.

“Urojmë që ky veprim i Serbisë në territorin e Kosovës të jetë i fundit dhe shpresojmë që faktori ndërkombëtar të jetë në anën e Kosovës dhe të mbrojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, thonë nga Besa.

Ka reaguar edhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, duke e cilësuar si provokim të radhës nga Serbia për shtetin demokratik të Kosovës

“Akti i sulmit të mbrëmshëm ndaj Policisë së Kosovës si pasojë e të cilit kanë mbetur të vrarë një polic dhe një është i plagosur, paraqet edhe një provokim i radhës nga Serbia për shtetin demokratik të Kosovës. Me këtë veprim të shëmtuar vërehet qartë se kush për çfarë është përcaktuar në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Duke vlerësuar rolin e faktorit ndërkombëtar si vlerë e pakontestueshme e paqes, urojmë që sa më parë të ketë normalizim të situatës e cila vazhdon të ngelet e tensionuar. Është koha për të treguar maturi dhe gjakftohtësi. Ngushëllime familjes Bunjaku dhe shërim të shpejtë për të plagosurit!”, thonë nga Lëvizja Demokratike.

Nga Alternativa thonë se sulmi i mbrëmshëm, është shqetësim jo vetëm sepse edhe në vitin 2023 Serbia vazhdon të sillet ndaj fqinjëve si më 1913-të, por edhe sepse sulmet e këtilla mund të jenë shkëndija që mund të krijojnë tension të paparashikueshëm e me pasoja të padëshirueshme për të gjithë ata që besojnë në Ballkanin e paqes e stabilitetit.

“Duke e dënuar këtë sulm si goditje ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës nga Serbia, natyrisht përmes grupeve terroriste të armatosura atje, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-së dhe BE-së, që të mos lejojnë të na përsëriten skenat e para çerekshekullit dhe mos të lejojnë që konfliktet luftarake të kthehen në brendi të Europës.
Ndonëse tavolina e bisedimeve është vendi ku duhet të rrafshohen dallimet dhe Kosova e Serbia të arrijnë normalizimin e  marrëdhënieve, kjo natyrisht nuk duhet të nënkuptojë se Serbia mund të sillet ndaj Kosovës si Rusia në Ukrainë, aq më shumë që sigurinë e Kosovës e garanton prania e NATO-s”, thonë nga Alternativa.

Edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përmes një shkrimi në Facebook, ka dënuar ashpër sulmin e kryer ndaj policisë së shtetit të Kosovës nga i cili ka mbetur i vrarë një policë.

“Dënoj me ashpërsi sulmin e kryer ndaj policisë së shtetit të Kosovës nga i cili ka mbetur i vrarë një oficer policie dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Tani që shkruaj këto rreshta aty ende vazhdojnë të shtënat nga persona të maskuar dhe gjuajtës profesionistë. Ky është një rast alarmant, dramatik dhe kërkoj reagim urgjent nga faktori ndërkombëtar!”, shkroi Taravari.

Kujtojmë se një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Kurti ka thënë se polici i vrarë ka qenë rreshter.

Dy tjerët janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Prishtinë.