Teologët dhe leximi (I)

“Leximi është veprimi njerëzor më kreativ” -Manguel.

Në vitin 2017, Hatem Bazian-i i Universitetit Berkeley i Kalifornisë, pat botuar një artikull me titull “Books and reading in the Muslim world: A serious crisis” (Librat dhe leximi në botën islame: një krizë serioze), ku, pasi nënvizonte qendërsinë e leximit si bazë dhe rrugë për afrim, lidhje, njohje dhe kuptim të hyjnores, theksonte edhe krizën strukturore të leximit në botën islame: nga 56 shtëpitë botuese më të mira në botë, asnjëra syresh nuk gjendet në shtetet islame. Po ashtu, librat, përveç teksteve hyjnore, që shiten dhe lexohen më së shumti në botë, nuk vijnë nga bota islame dhe nuk janë shkruar nga autorë muslimanë. Në vendet e para të listës për kohën që i kushtohet leximit nuk figurojnë vendet muslimane. (Kapoor, 2022) Katër nga pesë vendet me numrin më të ulët që di shkrim dhe lexim (27%-33.4%) janë vende me shumicë muslimane. (Cago, 2017) E gjithë kjo flet për mungesën e kulturës bashkëkohore të leximit në një botë që duhet të jetë leximcentrike (Kurani vjen nga folja kare’e: lexoj, sqaroj [DİA, 2002: 417])

Vepra Leximet e një predikueseje (Logos-A, 2023), që mban firmën e një teologeje turke, Fatma Bayram, vjen në shqip si një sihariq për kulturën tonë në përgjithësi dhe për fellën e përcjellësve të mesazhit hyjnor në veçanti, përkatësisht për komunitetin e hoxhallarëve dhe thirrës(e)ve/vaizëve/vaizeve, me një porosi sublime: “Lexoni, lexoni, lexoni!” Gjithnjë duke u bazuar te fjala e parë e shpallur e sures “Alek”. Ndërsa porosia numër dy, pas “këndimit” është regjistroni, shënoni, shkruani, bazuar në shenjtërinë e Lapsit (el-Kalem).

Fryma e këtij libri, që përfshin eksplorimin e një bote librore dhjetë-vjeçare nga një predikuese, që hap hartën e veprave me të cilat ajo është bërë një, me të cilat ka frymuar ndër vite (2008-2022) është mbresëlënëse. Janë 291 libra të shtypur dhe elektronikë, të cilët skedohen nga Bayram-i në këtë tekst ku përfshihen kategori të ndryshme, që nga librat për fëmijë e me imazhe, tregimet, ditarët, librat historikë, fetarë, fantashkencorë, filozofikë, enciklopeditë, besteseller deri te klasikët e islamologjisë e shumë të tjerë që të lënë pa fjalë po të kemi parasysh vëllimin dhe emrat e përfshirë.

Në kohën kur kemi të bëjmë me një krizë të dukshme ligjërimore në teologjinë shqiptare, ku një pjesë e mirë është sipërfaqësore, improvizuese e pa shije, jotërheqëse dhe e bezdisshme: ngritje zëri, britma, qortime, “emocionalitet asgjëthënës” (Krasniqi, 2018), stër(përsëritje) e bazuar në kulturën predikuese të huaj (joshqiptare), e kufizuar vetëm në tekstet bazike fetare, pa njohje të frymës së kohës, ose thënë më mirë me prirje injorimi të dijes së shekullit tonë, botimi i këtij teksti është një vërejtje dhe një leksion për teologët. Ky libër sikur thotë “hapni horizontet”, o njerëz! Ndonëse autorja na paraqitet me një stil deskriptiv, jo in depth (në thellësi), moria e librave dhe përpjekja për të mbajtur shënime për çdo lexim janë kuptimplota, madje edhe për kategorinë e lexuesit të përgjithshëm. Është shumë mbresëlënës “kursi” dhe ritmi i vetorganizuar për vetedukim dhe vetarsimim edhe pas mbarimit të shkollimit zyrtar. Pra, leximi i vazhdueshëm në shtëpi, në tempull, në qendrat tregtare, në autobus, avion, brenda dhe jashtë vendit.

Bayram-i e ka shndërruar leximin në një mënyrë jetese, pa neglizhuar detyrimet e saj familjare si nënë, bashkëshorte etj. Nga teksti i këtij libri mësojmë se ajo mundohet me çdo mënyrë të mbindërtojë veten si njeri dhe si profesioniste, duke e begatuar veten me dije të ndryshme, si: psikologjia, sociologjia, filozofia, arti, letërsia e shumëçka tjetër. E gjithë kjo për të qenë më e sukseshme në komunikimin e saj me individin dhe shoqërinë, me auditorin e saj (xhematin). Në këtë mënyrë ajo ngre pjacën e predikimit, duke shënjuar se nuk mund të jesh i suksesshëm në këtë drejtim jetik nëse mjaftohesh vetëm me klasikët e dijeve apo shkencave islame. Ky është një apel i fortë për profilin e hoxhës ndër ne, për të cilin një pjesë e mirë e emrave dhe titujve të përfshirë në këtë libër janë terra incognita (tokë e panjohur).

Është e çuditshme që një nga kryepredikuesit shqiptarë, në një emision televiziv të “Ramazanit 2023”, për pyetjen se çfarë lexon, në cilën gjuhë, u përgjigj me “vetëm arabisht, asgjë tjetër”! Një kufizim ekstrem i vetes, por edhe i xhematit. E si mund ushqesh shëndetshëm dëgjuesin me material të prodhuar vetëm në një gjuhë dhe kulturë?! Përvoja tregon se një segment i diskursit predikues ndër ne është antiperëndimizmi, pa i njohur fare emrat që kanë bërë “mendimin perëndimor”! Pa mendoni pak sa prej teologëve tanë kanë lexuar Kafka-n, Orwell-in, Piaget-in, Eagleton-in, Gordon-in, Morgan-in, Saramago-n, Davis-in, Cassirer-in, Lessing-un, Huxley-n, Manguel-in, Goleman-in, emra me të cilët autorja jonë është përballur dhe i ka kaluar?! Pa  diskutuar për kryeveprat e letërsisë turke, që i mban në pëllëmbë të dorës. Në hapësirën shqiptare kemi predikues pa dije historike, që lëshojnë thagma të tipit “kur Bonaparti [vd. 1821] u përball me ushtrinë e Salahudin Ejubit [vd. 1193]”! /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.