Sot protestojnë sindikatat e pesë universiteteve publike të RMV-së pas mosnënshkrimit të Marrëveshjes kolektive nga Parlamenti

Punonjësit e pesë universiteteve publike të Maqedonisë së Veriut sot me fillim në ora 13 do të protestojnë për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes Kolektive nga Parlamenti për rritje të rrogave, raporton Portalb.mk.

Sindikatat e pesë universiteteve publike: “Goce Dellçev”- Shtip, Universiteti i Tetovës, “Shën Kliment Ohridski”- Manastir, “Nënë Tereza” – Shkup, “Shën Apostol Pavle”- Ohër, me miratim unanim kanë vendosur që të mbajnë protestë të qetë dhe paqësore.

“Sindikatat e përshëndesin zbatimin e Marrëveshjes Kolektive nga ana e Qeverisë me UKIM-in, por njëherësh janë edhe kundër standardeve të dyfishta, diskriminimit dhe pabarazisë ndaj universiteteve të tyre, pasi e gëzojnë të njëjtin status dhe se shteti padrejtësisht i ka lënë anash”, thuhet në njoftim.

Sindikatat theksuan se nuk janë kundër askujt dhe protestat nuk kanë kurrfarë ngjyrimi politik, por ato organizohen për kthimin e dinjitetit, integritetit dhe drejtësisë së shkelur e të nëpërkëmbur nga ana e organeve kompetente vendimmarrëse.

Ky vendim i sindikatave vjen si reagim ndaj Qeverisë dhe Kuvendit në lidhje me rritjen e rrogave për 22 përqind për të punësuarit në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.

“Nisma e nënshkrimit të Marrëveshjeve Kolektive ka filluar, gjegjësisht propozim teksti i Marrëveshjeve Kolektive prej të gjitha universiteteve publike është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut shumë më herët para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, prandaj si përfaqësues të sindikatave konsiderojmë se padrejtësisht dhe jo me fajin tonë të njëjtat nuk janë nënshkruar me themeluesin, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë sindikatat e universiteteve.

Me 28 shkurt 2024 Qeveria e vendit miratoi nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive të Lidhjes së Sindikatave të Punonjësve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Punonjësit në universitetin më të vjetër shtetëror në Maqedoninë e Veriut „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup, nga shkurti do të marrin paga më të larta mesatarisht për rreth 22 përqind, ndërsa në formë retroaktive do t’ju paguhet edhe dallimi për muajin janar.