Me flamurin e Serbisë i mbuloi targat e Tetovës dhe vozitej me veturë, Policia e dënoi shoferin

Policia e ka gjobitur sot personin i cili ka një kohë që vozitej nëpër Tetovë me një pjesë të targave të mbuluara me flamurin serb, konkretisht të mbuluar në pjesën ku shënohet shkurtesa e emrit të shtetit (NMK). Këtë veturë gazetari i Portalb.mk disa herë e ka parë të qarkullojë nëpër Tetovë. 

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, njoftuan për Portalb.mk se pjesëtarët e policisë të SPB Tetovë, sot rreth orës 12.30 në rrugën ,,Iliria” në Tetovë kanë ndaluar veturën Mercedes me targa të Tetovës të cilën e ka drejtuar personi S.K.(59) nga fshati Zhilcë e Tetovës, ku gjatë kontrollit të kryer është konstatuar kundërvajtje në trafik e dënueshme sipas nenit 36 alinea 5 ,,Dëmtim, mbulim apo vendosje të shenjave të ndryshme ose afisheve në targat e regjistrimit të automjetit”.

Për këtë nga Policia thanë se për janë marrë masa adekuate.

“Është përgatitur parashtresë përkatëse, gjobë në vlerë prej 100 euro në kundërvlerë të denarit”, thanë nga SPB Tetovë.

Përndryshe, në Tetovë më 11 gush gjatë manifestimit në qendër të Tetovës si rezultat i vizitës së kryeministrit të Kosovës, një qytetar valëviti flamurin e Shqipërisë së Madhe. Për këtë qytetar, MPB-ja po mbledh informacione. Ndërkaq, rasti nuk u la pa u komentuar as nga presidenti i Serbisë – Aleksandar Vuçiq.