Të sigurt në dimër: Si të shmangni lëndimet gjatë stinës së ftohtë?

Instituti i Shëndetit Publik ka lëshuar rekomandime për muajt e dimrit, të cilët shpesh mbartin një rrezik në rritje të lëndimeve për shkak të temperaturave të ulëta, borës dhe akullit. Trotuaret e rrëshqitshme dhe rrugët e akullta janë një shkak i zakonshëm i rënieve dhe lëndimeve, raporton SP, përcjell Portalb.mk.

Për më tepër, drejtimi i makinës në dimër është më i vështirë – për shkak të borës në rrugë, akullit, dukshmërisë së reduktuar për shkak të mjegullës, mbulesës së trashë të borës ose shiut të ngrirë.

Gjatë sezonit të sporteve dimërore, skijimit, snowboarding-ut, sajës dhe patinazhit, numri i lëndimeve rritet. Lajmi i mirë është se shumica e tyre mund të parandalohen me kujdes, informim të mirë dhe përgatitje të duhur. Sipërfaqet e rrëshqitshme dhe të akullta janë shkaku më i zakonshëm i rënieve. Pasojat mund të variojnë nga mavijosje dhe prerje të lehta deri te fraktura dhe lëndime më serioze të kyçeve.

“Shmangni daljen jashtë kur trotuaret dhe rrugët nuk janë të pastra. Nëse duhet të dilni, lëvizni ngadalë, me hapa të shkurtër dhe të sigurt. Shikoni përpara dhe kini kujdes nga zonat e rrëshqitshme. Vishni këpucë të rehatshme me shputa që nuk rrëshqasin. Mos i mbani duart në xhepa dhe shmangni ngarkesat e rënda për të ruajtur ekuilibrin. Kur ecni në shkallë, mbajeni gjithmonë parmakun dhe ecni me kujdes. Kur hyni në ndërtesa, kini kujdes, dyshemetë shpesh janë të lagura. Kujtojuni fëmijëve dhe të moshuarve këto këshilla, ata janë më të ndjeshëm ndaj lëndimeve nga rëniet”, apelon ISHP-ja.

Këshilla për drejtimin e automjetit në kushte dimërore

Para fillimit të dimrit, kontrolloni nëse automjeti juaj është i pajisur me goma dimërore dhe pajisjet e nevojshme. Shmangni drejtimin në mjegull të dendur, stuhi dëbore ose rrugë të akullta. Drejtoni me kujdes pa kthesa, frenim ose përshpejtim të menjëhershëm. Përdorni gjithmonë rripin e sigurimit dhe ndizni dritat. Mos hipni pas timonit nën ndikimin e alkoolit. Ulni shpejtësinë dhe mbani një distancë më të madhe në erëra të forta. Informohuni për gjendjen e rrugëve para se të niseni.

Rekomandimet e përgjithshme për sigurinë dimërore nga ISHP janë që qytetarët të vishen me shtresa dhe të përshtatin veshjet e tyre me kushtet e motit.