Të rinjtë shqiptarë të talentuar në sport do të mund të marrin shtetësinë e Shqipërisë edhe nëse nuk janë 18 vjeç

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet e fundit ligjore që i mundësojnë talentëve shqiptarë të sportit që jetojnë jashtë Shqipërisë, të marrin pasaporta, transmeton Portalb.mk.

“U krijohet mundësia talenteve të sportit që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë, që të pajisen me pasaportën shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç”, njoftoi Rama.

Futbolli është një nga sportet ku ekipin e kombëtares së Shqipërisë e plotësojnë futbollistë shqiptarë që kanë lindur dhe jetojnë në vendet jashtë Republikës së Shqipërisë.

Ndryshe, futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë nga Shkupi, Jasir Asani, shënoi një gol të bukur në ndeshjen kundër ekipit të Polonisë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024.

Shqipëria me pesë ndeshje gjendet në pozitën e parë me 10 pikë, Çekia nga katër ndeshje grumbulloi 8 pikë, Moldavia po aq pikë nga pesë ndeshje, ndërsa nga pesë ndeshje Polonia ka grumbulluar 6 pikë, ndërsa Ishujt Faroe 1 pikë.

Ndeshja e radhës e Shqipërisë është kundër ekipit të Çekisë më 12 tetor, për të vazhduar pastaj edhe me dy ndeshje tjera të fundit, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe.