Për një vit u rrit për 13 përqind kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në disa produkte kemi ulje
Në muajin prill është regjistruar rritje e shpenzimeve bazë të jetesës në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me prillin e vitit të kaluar, transmeton Portalb.mk.
“Indeksi i kostos së jetesës në prill 2023, krahasuar me prill 2022, shënoi rritje prej 13.0%, dhe indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 10.1%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave, ndërsa në krahasim me marsin e këtij viti kemi rritje për 0.7 % te konsumi, kurse 1.4 % te çmimet me pakicë.
Në krahasim me marsin, theksohet rritja te cigaret me 8.1 %, perimet e freskëta 2 %, mishi 1.4 dhe produktet tjera, ndërsa te transporti ajror i pasagjerëve kemi rritje të indeksit te jetesës për 42.4 %.
“Ulje e indekseve të kostos së jetesës në prill 2023, krahasuar me një muaj më parë, është vërejtur te vaji dhe yndyra me 6.5%, frutat e freskëta dhe të ftohta me 3.2%, qumështi me 3.4%, djathi dhe gjiza, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 1.5%, buka dhe drithërat, produktet ushqimore, të pa përmendura diku tjetër me 0.4% dhe birra me 0.3%”, raportoi Enti, duke theksuar edhe lëndët djegëse për 4.9 %.