MSH: Pritet që vaksinat kundër gripit të sigurohen gjatë këtij muaji, vonesa për shkak të një problemi global në prodhim

Vaksinat kundër gripit sezonal për kategoritë e cenueshme të qytetarëve vonohen për shkak të problemeve në prodhimin e tyre në nivel global, por nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) thonë se po bëhen përpjekje që ato të sigurohen gjatë këtij muaji përmes kanaleve ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se në tenderin e shpallur për furnizimin me vaksina nuk ka mbërritur asnjë ofertë, duke theksuar se arsyeja nuk qëndron te procedura vendore, por te një vendim specifik i autoriteteve shëndetësore botërore.

“Këtë vit, për herë të parë janë ndryshuar njëkohësisht të tri shtamet virale në përbërjen e vaksinës (dy për gripin A dhe një për gripin B). Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencia amerikane FDA i përditësuan të tria shtamet njëkohësisht, gjë që e vonoi fillimin e prodhimit te prodhuesit në mbarë botën“, shpjegojnë nga Ministria.

Nga ministria kompetente theksojnë se janë në komunikim të vazhdueshëm me vendet e rajonit dhe më gjerë, me qëllim sigurimin e dozave të nevojshme, duke rikujtuar se vaksinimi është mbrojtja më e sigurt nga komplikimet për të sëmurët kronikë, personat e moshuar dhe gratë shtatzëna.

Qytetarët do të informohen në kohë për termin e saktë të fillimit të vaksinimit.