Përplasje për librat shkollor midis LSDM-së dhe MASH-it: Partia thotë se mungojnë tekste, Ministria e mohon
LSDM-ja opozitare ka akuzuar qeverinë aktuale dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) se nuk e kanë përmbushur premtimin e tyre për të dorëzuar tekstet shkollore në kohë. Sipas zëdhënëses së partisë, Bogdanka Kuzeska, megjithëse ka kaluar një muaj që nga fillimi i vitit shkollor, një numër i madh nxënësish ende nuk i kanë marrë tekstet e tyre shkollore. Nga ana tjetër MASh ka mohuar, duke thënë se kjo çështje tashmë është zgjidhur, transmeton Portalb.mk.
“Qeveria premtoi se çdo nxënës do të ketë libra shkollor deri më 1 shtator, por shtatori po kalon dhe qeveria gënjeu. Nuk ka tekste shkollore”, tha Kuzeska në konferencën e sotme për shtyp.
Ajo vuri në dukje se mijëra nxënës janë të detyruar të mësojnë pa libra shkollorë, dhe ata që i kanë janë të dëmtuar dhe të vjetër.
Sipas LSDM-së, prindërit nuk janë të detyruar të shtypin materiale, as mësuesit nuk janë të detyruar të improvizojnë. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, së pari, siç tha Kuzeska, foli për zgjidhjen e problemit përmes donacioneve, dhe më pas u tha nxënësve dhe prindërve të përdorin formatet PDF të disponueshme në internet.
LSDM kërkon që Ministria e Arsimit të sigurojë dhe dorëzojë menjëherë tekstet shkollore në shkolla sa më shpejt të jetë e mundur. Partia beson se është detyrim i Ministrisë së Arsimit të ketë plan, logjistikë dhe kontroll për të garantuar që çdo fëmijë në Maqedoni do të mësojë nga librat shkollor.
“Kjo nuk është çështje politike, kjo është çështje e së ardhmes së fëmijëve tanë dhe të gjithë sistemit arsimor”, tha Kuzeska.
Ajo kërkoi përgjegjësi nga ministrja Vesna Janevska për, siç deklaroi ajo, “të gënjyerit dhe lënien e nxënësve pa të drejtën themelore për arsim cilësor”.
Ndërkohë, MASH ka përgënjeshtruar LSDM-në duke thënë se udhëheqësia aktuale e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me Ligj të ri për Tekstet Shkollore, të zhvilluar së bashku me të gjithë palët e interesuara në miratimin, prodhimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, “ka zgjidhur sfidën që katër ministra të Qeverisë së mëparshme nuk arritën ta kapërcenin”.
“Këtë vit shkollor, ka tekste shkollore për të gjithë nxënësit dhe shpërndarja tashmë është përfunduar. Tekste shkollore krejtësisht të reja janë në dispozicion në klasën e shtatë të arsimit fillor dhe në vitin e parë të arsimit të mesëm, për shkak të zbatimit të kurrikulave të reja. Për herë të parë në shtatë vjet, ka tekste shkollore të reja për të gjitha gjuhët e huaja. Zhvillimi i kurrikulave dhe teksteve shkollore të reja do të vazhdojë në vitet shkollore në vijim, si pjesë e planit për reformë në faza të sistemit kombëtar arsimor.
I gjithë tirazhi që u kërkua nga shkollat është shtypur dhe shpërndarë. Përveç teksteve shkollore të shtypura, shkollat dhe nxënësit kanë edhe versione elektronike të të njëjtave tekste shkollore të miratuara në dispozicion si opsion. Pra, përpjekjet e partisë politike LSDM për të përdorur të pavërteta për të zhvlerësuar punën dhe përkushtimin ndaj nxënësve dhe sigurimin e kushteve cilësore të mësimdhënies janë të kota. Koha e neglizhencës ndaj sistemit arsimor, nxënësve, mësuesve dhe prindërve ka mbaruar. Ndryshimet po ndodhin dhe efekti do të reflektohet tek brezat e rinj të cilët do të kenë njohuri më konkurruese dhe aftësitë e nevojshme për sukses”, thonë nga MASH.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska tha dje se tekstet shkollore u janë dorëzuar të gjitha shkollave që i kanë kërkuar, dhe aty ku mungojnë, për shkak se kopjet e nevojshme nuk janë raportuar në kohë, problemi po zgjidhet në një mënyrë tjetër.
Duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, Janevska informoi se ata, si Ministri, kanë kërkuar që shtëpitë botuese t’u sigurojnë tekstet shkollore që mungojnë në format PDF dhe se ato aktualisht po ngarkohen në faqen e internetit të Shërbimit Pedagogjik në Ministrinë e Arsimit.
Janevska, duke shtuar në përgjigjen e saj, ishte edhe një herë e prerë se çdo tekst shkollor i kërkuar nga Ministria është siguruar dhe për këtë arsye, shtoi ajo, nuk i pranon pretendimet se nuk ka tekste shkollore.
Kujtojmë problemi i mungesës së librave pengon arsimin e mirëfilltë me vite të tëra në RMV, kurse autoritetet secilin fillim-vit japin deklarata por nuk ndërmarrin hapa thelbësore për ta zgjidhur çështjen deri në fund.
- LEXO: Shtatori për nxënësit në Likovë filloi pa libra, udhëheqësit shpresojnë të furnizohen deri në fund të muajit
- LEXO: Nxënësit e Tetovës përballen me mungesë librash, pavarësisht milionave të shpenzuara
- LEXO: Dita e katërt e shkollës, ministrja Janevska premtoi se së shpejti nxënësit do të furnizohen me libra
- LEXO: Viti i ri shkollor, Janevska: Libra ka për të gjithë, inteligjenca artificiale është përfshirë edhe në mësimdhënie
- LEXO: Nxënësit në Kumanovë nuk i kanë gjitha librat kurse ato që i kanë marrë janë të dëmtuara dhe të mbushura me shkrime