Aleanca e Taravarit inkurajon qeverinë të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare
Krahu i Aleancës për Shqiptarët (ASH) i udhëhequr nga Arben Taravari po e inkurajon kryeministrin Hristijan Mickoski që t’i bëjë thirrje Parlamentit për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që, siç thotë partia, të zhbllokohet procesi i integrimit evropian, transmeton Portalb.mk.
Partia e Taravarit akuzoi përfaqësuesit aktualë të shqiptarëve në vend, përkatësisht koalicionin VLEN, se i tradhtuan pritjet e tyre, ndër të tjera, sepse e ngecën procesin e integrimit evropian.
“VLEN mori përgjegjësinë për të hequr balancuesin dhe e zëvendësoi atë me një ligj skandaloz për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke penguar reformën e vërtetë. Ky formacion politik i quajtur VLEN nuk kishte fuqinë politike për të mundësuar provimin e jurispodencës në gjuhën shqipe për studentët shqiptar dhe nuk i mbështeti ata, nuk e realizoi premtimin për ndryshime kushtetuese edhe pse vetë liderët e VLEN-it deklarativisht e kishin kusht për këtë qeveri duke kërcënuar madje se nëse nuk realizohen ndryshimet kushtetuese ne do ta lëshojmë qeverinë, gjë që nuk ndodhi, lejoi degradimin e gjuhës shqipe në institucione dhe solli nënçmim institucional ndaj shqiptarëve. Në vend të barazisë, VLEN ka sjellë nënçmim. Në vend të reformave të thella, ka krijuar bllokada të turpshme. Në vend të përshpejtimit të integrimeve evropiane, ka shkaktuar ngecje të rënda dhe pasiguri të frikshme”, thonë nga ASH.
Ata thonë se kanë paralajmëruar vazhdimisht se qeveria me VLEN nuk ka as kapacitetin politik dhe as vullnetin për të përfaqësuar qytetarët, veçanërisht shqiptarët, dhe për ta çuar vendin përpara në rrugën drejt BE-së.
“Prandaj ne bëjmë thirrje, të lejohen qytetarët që nëpërmjet zgjedhjeve të reja, të lira, fer dhe demokratike të marrin fatin e tyre në dorë, të vendosin se kujt do t’ia japin besimin për t’i përfaqësuar siç duhet, dhe të ndëshkojnë me votë ata që tradhtuan besimin duke mos përmbushur premtimet e tyre, duke filluar nga VLEN. Në këtë ngërç politik e diplomatik, në këtë kohë të krizës së thellë ekonomike dhe sociale, zgjedhjet nuk janë thjesht një opsion, ato janë zgjidhja e vetme. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë të marrin fatin e tyre në dorë, të hedhin poshtë dështimet e kësaj qeverie dhe të VLEN, dhe të zgjedhin përfaqësues që do ta çojnë vendin përpara me dinjitet dhe prosperitet”, thonë nga ASH.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski dhe tha se së shpejti do të ketë zgjedhje.
“Lajmi i mirë është se së shpejti do të ketë zgjedhje dhe pas këtyre zgjedhjeve, partia që ai (Venko Filipçe) drejton do të margjinalizohet dhe shpresoj që ai dhe ata si ai të zhduken përgjithmonë nga politika dhe që njerëzit që e duan atë, që e duan atdheun dhe që do të luftojnë për këtë vend së bashku me këtë qeveri dhe me mua do të vijnë”, tha kryeministri.
Deri më sot, deklaratat e kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ishin se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin në datën e rregullt në vitin 2028.