Tanja Ivanova: Gjinia nuk është ideologji, por realitet në bazë të të cilit bëhet diskriminim

Tashmë për një kohë më të gjatë çështja e të drejtave të grave, identiteti gjinor dhe ligjet që i rregullojnë këto të drejta, e që liderët botërorë dhe organizatat për të drejtat e njeriut i kanë rregulluar me Konventën e Stambollit, po shkakton reagime në publik. Ndër ato që janë kategorik kundër barazisë midis burrave dhe grave, më të zëshëm janë krerët e bashkësive fetare. Disa komuna tashmë janë duke e tërhequr buxhetimin sipas gjinisë nga rendi i ditës dhe janë duke e larguar termin “barazi gjinore” nga përdorimi në dokumentet e komunës. Njëherit mbahen edhe aktivitete të ndryshme dhe aksione humanitare të cilat nën pretekstin se japin kontribut në forcimin e të drejtave të njeriut, në fakt imponojnë narrativa të dëmshme, ndikime të huaja dhe stereotipe lidhur me rolet e gjinive. Për këtë temë Meta.mk, bisedoi me Tanja Ivanova, kryetaren e Reaktor-hulumtim në veprim, transmeton Portalb.mk.

  • Si e shihni deklaratën e përbashkët të krerëve të bashkësive fetare në të cilën deklarojnë se pranimi juridik i “identitetit gjinor” në propozim-ligjet për evidencë amë dhe barazi gjinore është i papranueshëm dhe mund të shkaktojë diskriminim të grupeve të cenueshme? A ekziston shqetësim se deklaratat e këtilla mund të promovojnë potencialisht dhunë në familje dhe t’i përjetësojnë perceptimet e dëmshme mbi gratë dhe rolin e tyre në shoqëri?

Ivanova: Deklarata e përbashkët e liderëve fetarë vetë në vete është skajshëm diskriminuese për grupet më të cenueshme, por edhe e pabazë dhe antikushtetuese sepse e cenon sekularitetin e shtetit që është i garantuar me Kushtetutë, njëlloj siç janë të garantuara edhe të drejtat themelore të njeriut të të gjithë qytetarëve dhe qytetareve pa marrë parasysh dallimet midis tyre. Krerët e bashkësive fetare nuk kanë ekspertizë e as përvoja pune apo personale me të cilat mund t’i mbështesin këto deklarata. Për bashkësitë religjioze mund të mos jenë të pranueshme dukuri të caktuara apo qëndrime të njerëzve të tjerë në shoqëri, por nuk kanë të drejtë t’i gjykojnë dhe mohojnë ato.

Ndërkaq, çdo individ ka të drejtë për të njëjtat liri dhe qasje deri te të mirat dhe shërbimet publike dhe duhet të respektohet si njeri.

Pranimi publik i identitetit gjinor vetë në vete nënkupton tejkalim të diskriminimit shumëvjeçar thelbësor dhe sistematik të një pjese të qytetarëve dhe aspak nuk ka për qëllim të diskriminojë grupe të cenueshme. Përkundrazi, i ndihmon më të cenueshmit t’i realizojnë të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë para së cilës të gjithë jemi të barabartë. Gjinia nuk është ideologji, por realitet dhe kategori sociale në bazë të së cilës shumë shpesh bëhet diskriminim dhe pikërisht për këtë është me rëndësi që të ketë zgjidhje juridike në bazë të së cilës do të mund të mbrohen personat e prekur.

Rezistenca aktive që e përmendin nuk është produkt i “pasojave tragjike”, por i narrativave manipulative dhe informatave të rrejshme me të cilat frikësohen kategoritë e përmendura.

Për shëndetin psikologjik të të rinjve nuk duhet të shohim kërcënim tek gjinia si kategori (e përsëris – nuk është ideologji), por tek dhuna e pranishme gjatë kohë, shumë shtresëshe sistematike që arsyetohet nga konspiratorët më të mëdhenj kundër barazisë gjinore.

Konventa e Stambollit ka për qëllim që t’i mbrojë gratë dhe fëmijët dhe aspak nuk është “fundamentalisht në kundërshtim me doktrinat e të gjitha bashkësive religjioze” siç deklarojnë krerët fetarë. Qëllimi themelor i kësaj Konvente të Këshillit të Evropës për ndalimin dhe luftimin e dhunës mbi gratë dhe dhunës në familje, është që t’i ndihmojë gratë të luftojnë për të drejtat e tyre pa marrë parasysh dallimet dhe bindjet e tyre dhe ka për qëllim ta pengojë dhunën mbi gratë dhe dhunën në familje, siç thekson edhe vetë titulli i saj.

Strukturat që mundohen ta “përbaltin” këtë Konventë më informata të rrejshme dhe tekste manipulative janë pikërisht ato që me shekuj të tërë i mbajnë me të drejta të shkelura pikërisht gratë dhe në çdo mënyrë përpiqen ta ruajnë privilegjin e fituar në mënyrë të padrejtë të të qënurit “më të fuqishëm” nga gjysma tjetër e popullatës botërore, gjegjësisht ta ruajnë dizbalancin e fuqisë në kuadër të hegjemonisë mashkullore, që patriarku me shekuj e ruan, sigurisht me mbështetje nga bashkësitë religjioze. Kujtohuni vetëm në shekullin e mesëm të errët dhe “djegien” shtrigave që ka ndodhur nën udhëheqjen e personave të kishës në bashkëpunim me sistemet e atëhershme të pushtetit dhe fuqisë.

Emri i Konventës e ka prejardhjen prej faktit që e njëjta është miratuar pikërisht në Stamboll, në maj të vitit 2011, e bazohet në më shumë karta dhe dokumente ndërkombëtare që i rregullojnë të drejtat themelore të njeriut. Të gjithë këto dokumente në të cilët bazohet Konventa vetë në vete theksojnë se nuk kemi të bëjmë me një “dokument të ri” me “dashje të qëllimshme”, por, përkundrazi, plotësim juridik të protokolleve ndërkombëtare dhe konventave që plotësohen në bazë të gjendjeve për të cilat duan të na bëjnë me dije ose kundër të cilave duan të luftojnë, nëse konstatohet se të njëjtat nuk kanë qenë të tejkaluara me instrumentet ekzistuese juridike dhe se nevojitet që të forcohet në mënyrë plotësuese lufta kundër cilitdo lloji të dhunës që të mund e njëjta të tejkalohet në mënyrë afatgjatë.

Pikërisht për këtë, me çdo interpretim të gabuar ose shtrembërim të qëllimshëm të pasqyrës mbi Konventën e Stambollit, të gjithë ne që kontribuojmë në mënyrë plotësuese që të mbijetojë dhuna dhe të jetojmë në një botë në të cilën nuk jemi të barabartë, ndërsa paguajmë taksa të njëjta dhe japim kontribut mbase edhe me shumë kur bëhet fjalë pikërisht për ato vlera pas të cilave përpiqen të fshihen këto ndikime jodemokratike dhe antinjerëzore që veprojnë në mënyrë retroaktive.

Theksoj se ratifikimi i konventës është e mirë e përgjithshme dhe një hap gjigand përpara në luftën kundër dhunës së bazuar në gjini dhe të gjitha formave të shqetësimit të bazuar në gjini, prej të cilave në mënyrë jo të barabartë më shumë janë të goditura gratë dhe pikërisht për këtë kur themi dhunë e bazuar në gjini, para së gjithash mendojmë për dhunë mbi gratë. Mirëpo, e përdorim termin e bazuar në gjini sepse i përfshin të gjithë personat pa dallim gjinie, seksi, ose çfarëdo përcaktimi, sepse edhe përkundër faktit se më të prekura nga kjo formë e dhunës janë gratë, përsëri mund të përfshihen edhe burrat dhe djemtë. Ndërkaq, gjatë punës me çfarëdo dhune ose sjellje shqetësuese nuk duhet të na interesojë as përcaktimi seksual i personit dhe as identiteti i tij gjinor.

Nëse jemi njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe kujdesemi për popullin tonë, nuk guxojmë të diskriminojmë mbi asnjë bazë e as edhe të kërkojmë që tu kufizohen të drejtat atyre që janë ndryshe nga ne. Edhe religjioni, pa dallim për cilin religjion bëhet fjalë, vetë në thelbin e tij na mëson se duhet t’i duam dhe t’i respektojmë të gjithë njerëzit pa dallim se si kanë zgjedhur të shprehen në botën e tyre sociale.

  • Pak kohë më parë u organizuan dy evenimente në Komunën e Aerodromit të dedikuar ndaj krizës në martesë dhe familje, vlerave krishtere, traditës dhe patriotizmit. Gjithashtu edhe në Strumicë shpesh organizohen evenimente humanitare në të cilat marrin pjesë persona kishtarë, ndërsa organizohen edhe debate dhe projektime filmash me temë “Çfarë është gruaja”. Çfarë në fakt promovohet në këto evenimente nën pretekstin se me të vërtetë i promovojnë të drejtat e grave dhe i forcojnë rolet e gjinive? A kanë vallë ndonjë farë kontributi mbi mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave apo ndodh pikërisht e kundërta?

Ivanova: Këto evenimente definitivisht nuk i promovojnë e madje edhe nuk kontribuojnë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave dhe në mosdijen ose frikën e tyre nga dallimet manipulojnë me martesën dhe familjen, vlerat krishtere, traditën dhe patriotizmin që të fitojnë pikë tek shumica. Ky lloj i evenimenteve dhe diskurseve potencialisht e promovojnë dhunën familjare dhe të bazuar në gjini dhe në mënyrë plotësuese e vështirësojnë luftën edhe ashtu të vështirë kundër dhunës sepse e vetëm i forcojnë ndarjet e padrejta që janë të ngulitura thellë në patriarkatin që na ka sjellë deri në këto gjendje ndër shekuj. Janë shqetësuese deklaratat e krerëve fetarë dhe personave të tjerë nga sfera publike dhe politike të cilat i forcojnë perceptimet e dëmshme mbi gratë dhe rolin e tyre “të paracaktuar” në shoqëri dhe stereotipet që janë bazë e të gjitha padrejtësive që janë arsyeja kryesore e dhunës së bazuar në gjini.

  • Cili është qëndrimi juaj, interesat e kujt promovohen në këto evenimente dhe si mund t’i luftojnë gratë këto ndikime që të mos e rrënojmë avancimin e të drejtave të grave në vend?

Ivanova: Organizatat dhe aktivistët kundër gjinive janë të pranishëm te ne edhe prej më parë. Kanë qenë më se aktivë, së bashku me peshkopin Petar dhe kur kishte përpjekje për miratim të ligjit kufizues për abortin, për ligjin kundër diskriminimit, kur aplikohej mësimi fetar, e u bënë posaçërisht të zëshëm dhe të organizuar pas ratifikimit të Konventës së Stambollit dhe pas lajmërimit për reforma gjithpërfshirëse të sistemit arsimor.

Të njëjtët shpesh janë të lidhur me një gjuhë të fuqishme të urrejtjes dhe sulme ndaj personave që luftojnë për të drejtat e njeriut, dhe janë të mirë organizuar dhe të financuar nga individë ose organizata të fuqishme, jo vetëm në nivel nacional por edhe në transnacional. Ndërkaq, këto organizata dhe aktivistë nuk mobilizohen kundër gjinisë ose të drejtave të grave dhe personave LGBTI+, por thjesht i përdorin këto grupe për forcim ose rritje të fuqisë së tyre (financiare ose/dhe politike) dhe për mbajtje ose avancim të hierarkive politike që mbështesin një botë në të cilën të drejtat e grupeve të caktuara kanë përparësi para të drejtave të tjera, që vetë në vete paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

Fenomeni i themelimit të fondacioneve humanitare që gjasme kanë për qëllim t’i ndihmojnë njerëzit, ndërsa në prapavijë, nëpërmjet të keqpërdorimit të temave që na prekin të gjithë neve provojnë të fusin skenare të tjera të fshehta politike-financiare nuk është aspak gjë e re.

Problemi është se ndikimet e dëmshme që mund të rezultojnë nga këto propaganda janë shkatërruese për shoqërinë dhe pamundësojnë çfarëdo progresi dhe lëvizje evolutive, e me këtë ndikojnë negativisht edhe mbi zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve dhe të ardhmen e tyre. Në një kohë të zhvillimit të lartë teknologjik, manipulimet e këtilla mund ta jenë edhe më shkatërruese dhe mundëse për çdo gjë që do të thotë mendim dhe zhvillim progresiv, por edhe për shëndetin mendor të djemve dhe vajzave. Rolet gjinore në shoqëri janë realitet dhe nuk duhet të përpiqemi që t’i devijojmë e as edhe të kemi frikë nga armiq të trilluar, por duhet të punojmë drejt avancimit të perceptimit tonë për ato, drejt zhvillimit të kompasionit dhe empatisë dhe t’i shtrojmë dorën çdo individi që lufton me padrejtësinë dhe diskriminimin apo dhunën.

  • Si munden individët dhe bashkësitë, pa dallim të përkatësisë fetare, të japin kontribut të vërtetë për avancimin e të drejtave të grave në Maqedoni dhe t’i kontestojnë narrativat e dëmshme dhe stereotipet që propagandohen nga krerët fetarë dhe të tjerët në shoqëri rreth roleve dhe përgjegjësive femërore?

Ivanova: Beteja për avancimin e të drejtave të grave në Maqedoni dhe për kontestimin e narrativave të dëmshme dhe stereotipeve lidhur me rolet dhe përgjegjësitë gjinore në shoqëri, pikërisht për shkak të këtyre ndikimeve të fshehta nga qendra të ndryshme të fuqisë (sepse nuk është vetëm Rusia, këtu paraqitet edhe e alt-e djathta në SHBA e cila ka kanale seriozisht të përgatitur të ndikimit, por edhe disa shtete anëtare të BE-së të cilëve u konvenon që të rrënohet çdo lloj përparimi në këtë fushë që të ruhet disbalanci i fuqisë). Fakti se disa religjione e vendosin gruan në rol të nënshtruar, flet mjaftueshëm mbi atë se pse bashkohen këto fuqi në një betejë anti-demokratike kundër të drejtave themelore të njeriut, që në thelb u sjell më shumë fuqi politike dhe financiare të privilegjuarve. Ndërkaq, duhet të theksoj një të dhënë se sipas Regjistrimit në vitin 2021, te personat e fesë ortodokse shumica janë gra – 430.558 gra ortodokse kundrejt 416.832 burrash ortodoksë.

Na mbetet të luftojmë këto dukuri me fuqi të bashkuara dhe durim dhe sistematizim të një informimi më të fuqishëm dhe adekuat të publikut për tejkalimin e spekullimeve dhe propagandës së dëmshme. Për fat të keq, nuk kemi mjaftueshëm fushata thelbësore dhe afatgjate që mund të bëjnë ndryshim, e as edhe implementim të reformave të domosdoshme në arsim, e pikërisht për këtë arsye mendoj se kjo duhet të jetë prioritet për ne. Kuptohet, nevojitet domosdoshmërisht edhe kujdes i duhur nga ana e institucioneve shtetërore kur bëhet fjalë për krijim të politikave dhe procesit të konsultimeve në lidhje me barazinë gjinore dhe trajtim adekuat kritik të kontributit të vepruesve të ndryshëm të përfshirë në këtë proces.