Nurie Kadriu, mësuesja që luftonte analfabetizmin në zonat rurale

Ka shumë zonja të nderuara të cilat kanë dhënë kontribut në emancipimin e grave shqiptare në Maqedoni, dhe meritojnë një mirënjohje institucionale që nuk e kanë marrë deri më sot, si mësuesja Nurije Kadriu e cila dikur mbante kurse kundër analfabetizmit në zonat rurale, po ashtu ishte një shembull me mënyrën si fliste dhe si kurohej deri në detaje. Për lexuesit e Portalb.mk sjellim disa të dhëna biografike për jetën e saj.

Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar
Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar

Të gjithë flasin për bukurinë e saj, veshjen e veçantë dhe maniret që kishte dhe ka edhe sot që është në pension dhe po ashtu jep kontribut me sa mundet për një shoqëri më të mirë. Natyra e saj hokatarë dhe optimiste e bën një femër ambicioze që nuk i dorëzohet plakjes.

E lindur më 1945 në Tetovë. Ka punuar si arsimtare e fizikës dhe matematikës.

Ajo ka punuar në shkollë në lagjen më të varfër të lagjeve shqiptare, Dizhonit në Shkup, dhe nxënësit me probleme ekonomike dhe sociale, i ka vizituar në shtëpi, u ka dërguar për çka ka parë se kanë nevojë, nga veshmbathjet deri te elemente të ndryshme shtëpiake. Ka organizuar mbledhje prindërore vetëm me nënat që çuditërisht për atë shkollë i kanë shkuar në numër të madh. Pse nënat? Pasi baballarët kanë qenë pak të kyçur në rritjen e fëmijëve. Në atë kohë ishin aktuale sallat e biliardit, e kur nxënësit kanë ikur nga orët për të shkuar atje, Nurije Kadriu ka bërë racionet e veta policore për t’i kthyer në shkollë.

Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar
Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar

Ka qenë aktive në AFZH (Fronti Antifashist i Grave), kryetare në Tetovë dhe rrethinë për gati dhjetë vjet. Ka dhënë një angazhim për emancipimin e grave duke mbajtur kurse kundër analfabetizmit në zonat rurale për gratë të cilat nuk dinin shkrim – lexim, po ashtu edhe ligjërata shëndetësore, punëtori për amviset për përgatitje të ushqimeve të shëndetshme, ndihma familjeve me probleme ekonomike apo sociale etj.

Anëtare e shumë Komisioneve themeluar nga Komuna e Tetovës: për bursa të specializimeve të mjekëve, ndarjen e banesave, organizimin e verimeve për fëmijët e varfër, etj.

Pas shpërnguljes në Shkup emërohet kryetare e Lidhjes së Gruas Shqiptare në degën e Shkupit ku u përqendrua në femrën rurale: kontrolle falas gjinekologjike, ligjërata shëndetësore, kurse kundër analfabetizmit, kurse për rrobaqepësi.

Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar
Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar

Projekti më ambicioz i Lidhjes – dega në Shkup ishte edukimi shëndetësor i femrave, organizuar në rrethinën e Tetovës dhe Shkupit, me ligjërata nga mjek.

Në Tetovë të 10 ligjëratat i mbajti gjinekologia e njohur Mirie Vejseli. Sallat ishin plot se paraprakisht agjitohej, punohej në terren. Nga projekti mbetën broshura për secilën nga temat e ligjëratave, që janë broshurat e para në gjuhën shqipe mbi shëndetin e femrës. Si vazhdimësi, këto broshura u shpërndanë në shumicën e ambulancave në qytete dhe fshatrat e banuara me shqiptarë.

Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar
Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar

Gjatë luftës në Kosovë ka qenë e përfshirë në distribuimin e ndihmave humanitare si edhe  begatimin e jetës sociale dhe kulturore të nxënësve nga Kosova që u përfshinë nëpër shkolla).

E angazhuar në Lidhjen e pensionistëve të Maqedonisë, si anëtare e kuvendit, këshillit dhe organeve tjera me qëllim të ndihmojë për jetë më cilësore sociale dhe kulturore të moshës së tretë. Nënkryetare e Komisionit për kulturë dhe zbavitje që organizon defile me këngë dhe valle burimore, gara sportive, etj.

Lidhja e pensionistëve me aktivitete çdo ditore ndihmon njerëzit e moshuar që të shoqërohen, të marrin pjesë në punëtori kreative, në ekskursione në vend dhe jashtë.

Jeton në Shkup me një jetë të pasur sociale dhe duke marrë mirënjohje për kontributin e dhënë në sfera të ndryshme.

Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar
Nurije Kadriu, fotografi nga albumi familjar

Lidhur me atë sesa është e përfaqësuar gruaja shqiptare-pensioniste në jetën e organizuar pensionale, ajo shprehet:

“Pak. Edhe pse ç’është e vërteta, gratë në përgjithësi janë më pak të kyçura edhe në organizimin pensional edhe në shoqëri. Kjo për arsye objektive dhe subjektive. Gruaja është shumë më tepër e angazhuar rreth shtëpisë, por është në pyetje edhe tradita, sidomos te gruaja shqiptare. Fatkeqësisht kësaj duhet shtuar edhe Internetin dhe telefoninë celulare. Sot gratë rrinë në Internet, në rrjetet sociale dhe shikojnë televizion. Me fjalë tjera teknologjitë e reja sollën gjëra edhe të mira edhe të këqija. Kur kësaj iu shtua edhe pandemia nga Kovid 19, gjendja edhe më tepër u përkeqësua. Të shpresojmë që do të ketë ndryshime. Për këtë qëllim angazhohen edhe shoqatat e pensionistëve dhe Lidhja e shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë.’’ thotë ajo.