U ndanë çmimet për të diplomuarit më të mirë në UKM

Tradicionalisht dhe solemnisht sot në sallën e Rektoratit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup, u ndanë çmimet për studentët më të mirë të diplomuar për vitin akademik 2021/2022 – studentët që treguan arritje dhe rezultate të larta, transmeton Portalb.mk.

Çmimet jepen për ata studentë që kanë përfunduar studimet universitare në kohë dhe me notë mesatare prej së paku 9.00, në bazë të propozimeve të fakulteteve të UKM. Çmimi përbëhet nga një shumë monetare, e cila përcaktohet nga rektori çdo vit në varësi të fondeve që disponon Universiteti për këtë qëllim, dhe një monedhë ari me imazhin e vëllezërve Kirili dhe Metodi.

Gjithsej 23 studentë morën çmime për të parët e gjeneratës – aq sa ka fakultete në kuadër të UKM-së.

Gjithashtu, u nda edhe çmimi “26 korriku” nga Fondacioni “Frank Manning” nga Britania e Madhe, i cili ndahet për studentët me kohë të plotë nga semestri i fundit i ciklit të parë të studimeve, të cilët tregojnë rezultate të veçanta në studimet e tyre, me sukses mesatar gjatë studimeve të tyre prej së paku 8.00 nga Fakulteti i Arkitekturës, Filologjisë, Filozofisë, Ekonomisë, Juridikut dhe Fakultetit të Muzikës.

Rektori i UKIM-së, Nikolla Jankulovski, ua dorëzoi çmimet studentëve më të mirë.