Tabori i Selës njoftoi ndryshimin e ministrave Mexhiti dhe Aliu: “Kjo punë do të përfundojë sot”

Koordinatori i Grupit Parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri, ka thënë se sot do të shkarkohen ministrat nga radhët e partisë së tyre, Fatmir Mexhiti për Shëndetësi dhe ministri për Shoqëri informative dhe administratë, Azir Aliu. Neziri tha se bazuar në përcaktimet ideologjike dhe programore të Aleancës, si parti autonome me orientim perëndimor dhe pjesë e ministrave euroatlantikë, sjellja e dy ministrave të tyre ishte në kundërshtim me këto vlera dhe kodin etnik. Këshilli Drejtues vendosi shkarkimin e tyre nga detyra, transmeton Portalb.mk.

“Kjo punë do të përfundojë sot”, ka thënë Neziri, duke shtuar se ata kanë shumicën.

“Në bazë të përcaktimeve politike, ideologjike dhe programore të partisë sonë, duke u bazuar në Statutin e Aleancës për Shqiptarët, si parti autonme në vendimarje, me orientim perëndimor dhe pjesë e të gjitha proceseve euro-atlantike nga njëra anë dhe sjelljes së dy ministrave tanë në kundërshtim me këto vlera, por edhe në kundërshtim me Kodin Etik, ju bëjmë me dije se Këshilli drejtues i ASH-së vendosi të lirohen nga detyra Ministri për Shëndetësi, z.Fatmir Mexhiti dhe Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu”, tha Neziri. 

Njëkohësisht, në bazë të statutit të partisë, neni 152, 154, 156 dhe neni 84, Këshilli drejtues i Aleancës për Shqiptarët me 5 vota nga 7 në mënyre unanime vendosi:

  • Për Ministër të Shëndetësisë propozohet mjeku i mirënjohur z.Ilir Demiri, drejtor aktual i Spitalit Klinik – Tetovë.
  •  Për ministër të Shoqërisë informatike dhe për Administrat propozohet z.Naim Bajrami, Magjistër i Shkencave politike.

Për tubimin e Taravarit me disa deputetë të Kuvendit të partisë, Neziri tha se tubimi ka qenë jolegjitim dhe kanë marrë pjesë më pak se 40 anëtarë.

Siç shtoi ai, partia nuk është e ndarë, por kryetari është ndarë nga partia dhe nuk janë respektuar autoritetet partiake. Ai i tha Tharavarit se partia nuk funksionon me statuse në Facebook.

Nga ana tjetër deputeti i Aleancës Halil Snopçe, i cili e përkrah Arben Taravarin në mosmarrëveshjet me Ziadin Selën tha se Aleanca nuk ka kërkuar nga Qeveria, nga kryeministri teknik Talat Xhaferi shkarkimin e ministrave Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu nga Aleanca për Shqiptarët.

“Organet e Aleancës për Shqiptarët qëndrojnë pas ministrave Aliu dhe Mexhiti – edhe kuvendi qendror edhe kryesia. Kjo u dëshmua edhe mbrëmë, kur nga 29 anëtarë të kryesisë qendrore, 17 ishin fizikisht të pranishëm, morëm vendim që ta mbështesim thirrjen e zotit Taravari për të shkuar me opozitën në zgjedhjet e ardhshme”, tha Snopce.

Siç shtoi ai, vendimi nuk ka të bëjë fare me partneritetin e tyre në këtë Qeveri, e cila vetë vendosi t’i përjashtojë, njësoj si në vitin 2017.

“Kjo po ndodh nën stafetën e Artan Grubit. E patë dje, letrën e Grubit me drejtorët që të mos marrin asnjë urdhër nga ministri Mexhiti derisa të zgjidhet ministri i tyre. BDI do të ketë dy ministra të rinj? LSDM duhet të ketë kujdes. Ne nuk do të kemi asnjë detyrim ndaj çështjeve të dakorduara,” tha Snopce.

Ai ka shtuar gjithashtu se Grubi po i dikton kryeministrit Talat Xhaferi se si të punojë.

“Vendimi i parë i kryeministrit teknik në Qeveri ishte largimi i dy drejtorëve shqiptarë dhe kërkesa e parë drejtuar Kuvendit është kërkesa për shkarkimin e dy ministrave shqiptarë, nën stafetën e Artan Grubit. Xhaferi e lejon Grubin që t’i diktojë si të punojë”, tha deputeti në Kuvend.

Kujtojmë se sot do të ketë ndryshime në Qeverinë teknike. Kryeministri, Talat Xhaferi, dje i dorëzoi letër kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, me të cilën i propozoi Kuvendit në seancën e parë të radhës, të shkarkojë Fatmir Mexhitin nga pozita e ministrit të Shëndetësisë dhe Azir Aliun nga pozita e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Kjo seancë për shkarkim të të dy ministrave pritet të mbahet sot.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodh pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Mexhiti dhe Aliu ishin në krah të Taravarit, ndërsa ministri i tretë i ASh-së në qeveri, ai i Drejtësisë Krenar Lloga, në krah të Selës. Asnjë shkarkim nuk u propozua për të. Dhe, pasi krahu i Ziadin Selës është për të qenë pjesë e Qeverisë, shkarkimi nuk ka dilemë se do të ndodhë, ashtu siç u shkarkuan drejtorët që mbështesnin kryetarin e ASh-së Arben Travarin.