Qeveria e shkarkoi drejtoreshën e Postave të Maqedonisë së Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka shkarkuar drejtoreshën e ndërmarrjes publike “Postat e Maqedonisë së Veriut”, Bujare Abazi, transmeton Portalb.mk. Në vend të saj Qeveria propozoi Idri Istrefin.

Ministri i Aleancës për Shqiptarët, Azir Aliu, në orët e pasdites njoftoi që Bujare Abazi u shkarkua nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Ai sqaroi që një shkarkim i tillë është mbështetur edhe nga zëvendësministrja Vjollca Berisha dhe Tiron Jajaga që vijnë nga e njëjta parti.

Kundër shkarkimit të Abazit kishte votuar vetëm ministri Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu.

Ndryshe, Portalb.mk më 4 shkurt e publikoi ekskluzivisht studimin e fizibilitetit të Postës së Maqedonisë së Veriut të kryer në vitin 2021 për të cilin shteti ka paguar afër 800 mijë euro. Sipas studimit, problemet kryesore të këtij institucioni janë organizimi dhe menaxhimi i dobët, mungesa e digjitalizimit, puna manuale dhe gabimet njerëzore në raportet financiare, mungesa e një sistemi të njëjtë të punës. Një nga problemet më shqetësuese të Postës së Maqedonisë së Veriut është se të punësuarit nuk paraqiten në punë dhe për ta nuk përcaktohen masa. Sipas studimit, ky problem shfaqet më shumë në periudhën e zgjedhjeve dhe anashkalohen nevojat e postës.

Sipas studimit, që nga viti 2012 deri në vitin 2019 numri i të punësuarve në Postën e Maqedonisë së Veriut është rritur vazhdimisht për dallim nga vendet tjera si Kroacia, Polonia, Hungaria, Rumania. Të dhënat e siguruara nga Portalb.mk tregojnë se në vitin 2019 Posta ka pasur gjithsej 2092 të punësuar, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 1814 të punësuar.

LEXO: Posta e RMV-së ka problem me punëtorët që marrin rrogë e s’shkojnë në punë, studimi i fizibilitetit me gjetje skandaloze për punën e këtij institucioni

Nga ana tjetër, të dhënat për të punësuarit në Postën e Maqedonisë së Veriut, asnjë vit nuk janë publikuar në Regjistrin e të Punësuarve ne Sektorin Publik, i cili prej vitit 2016-të publikohet çdo vit ku tregohen të dhënat dhe karakteristikat tjera të institucioneve me qëllim të menaxhimit cilësor me resurset njerëzore. Në Regjistër janë vetëm të dhënat për të punësuarit e Agjencisë së Postës, e ndër vite numëron jo më shumë se 20 punëtorë.