Mbeturina dhe deponi “deri në fyt” në Malin Sharr, Deari: do të marrim masa më rigoroze

Për mbeturinat dhe deponitë që qytetarët e pandërgjegjshëm i krijonë brenda Parkut Kombëtar “Mali Sharr” assesi të gjendet zgjidhje. Mbeturinat janë gjithandej të shpërndara në Sharr, ndërsa situata më problematike paraqitet në vendbanimet që ndodhen brenda parkut. Për këtë problem sot reaguan nga PK “Mali Sharr”, kërkojnë nga komunat që të bëjnë grumbullimin e mbetjeve. Komuna e Tetovës thotë se pastron mbeturinat në vendbanime ndërsa pjesa tjetër nuk është kompetencë e tyre. Komuna e Bogovinës dhe Vrapçishtit heshtin në pyetjet e Portalb.mk.

Problem i kamotshëm me mbeturinat brenda Parkut Kombëtar Mali Sharr është i pranishëm të gjitha komunat që gjenden në hapësirat e parkut, por më keq është fshatrat që janë nën Komunën e Tetovës, Bogovinës dhe Vrapçishtit.

Drejtori i PK “Mali Sharr”, Ibraim Deari thekson se në Malin Sharr ka deponi të cilat kanë mbeturina ditore, mbeturina të mbetjeve urbane dhe mbetje të mobilierive në vende të caktuara.

“Problemi aktual është për komunat të cilat nuk grumbullojnë mbetjet ditore në mënyrë të rregullt, apo fare nuk grumbullojnë mbeturinat në fshatrat: Xhermë, Vicë, Brodec, Veshallë, Bozofcë të Komunës së Tetovës. Në Komunën e Bogovinës: Novosellë, Urviç, Jellovjan, Sellcë e Keçe. Në Komunën e Vrapçishtit: Kalisht, Llomnicë dhe Gjurgjevisht”, tha Deari.

Ai përmendi dhe tjerat komuna: Jegunoca, Tearca, Gostivari dhe Mavrovë dhe Rostusha.

Ai theksoi se vitin e kaluar ka pasur aksion ku këto mbetje pjesërisht u pastruan, por problemi është se të njëjtat vazhdojnë të rikthehen në deponi ashtu siç ishin më parë.

“Apeloj dhe kërkoj nga institucionet relevante, komunat të marrin masat e duhura që në këto vendbanime brenda parkut kombëtar të grumbullohen mbetjet ditore, urbane dhe të vihet në sistem grumbullimi i këtyre mbetjeve”, tha Deari.

Ai theksoi se nëse ky problem nuk rregullohet, do marrin edhe masa më rigoroze.

“Sigurisht se pastaj do kemi edhe deri te prokuroria apo edhe gjyqësia për të zgjidhur këtë çështje, sepse qytetarët në RMV duhet të jenë të barabartë, nëse diku merren mbeturinat pse të mos merren edhe te ata qytetarë që jetojnë brenda parkut kombëtar”, tha Deari.

Nga Komuna e Tetovës deklarojnë se për pastrimin e deponive që gjenden në Malin Sharr kompetencat i ka Ministria e Ekologjisë dhe vetë drejtoria e Parkut Nacional.

“Komuna e Tetovës ka për kompetencë pastrimin e mbeturinave që gjenden në Komunën e Tetovës dhe rrethinë, pra në fshatrat e Komunës së Tetovës, punë që e bën NPK-ja. Për pjesën tjetër deponitë që ndodhen në male i përket Ministrisë së Ekologjisë dhe drejtorisë së Parkut Nacional. Pikërisht për këtë ne e sqarojmë opinionin që pastrimi i këtyre mbeturinave i takon Parkut Nacional dhe në qoftë se punën e tyre do e bëjnë siç duhet, besoj se nuk do vijë deri këtu”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës.

Komuna e Bogovinës dhe e Vrapçishtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk për këtë problematikë.

Rikujtojmë që këtë problematikë e aktualizoi Portalb.mk në nëntor të vitit 2023.

As shpallja e një pjese të Malit Sharr si Park Kombëtar nuk i ndaloi qytetarët e pandërgjegjshëm të abuzojnë me natyrën por as institucionet t’i qasen më seriozisht këtij problemi. Mbeturinat dhe deponitë ilegale gjenden gjithandej në Sharr. Kjo problematikë me vite nuk po gjen zgjidhje, ndërkaq shoqëria civile alarmon: Nëse synojmë që Malin Sharr ta shndërrojmë në atraksion turistik, të huajt nuk do të vijnë t’i shohin mbeturinat në çdo kënd. Ata kërkojnë zgjidhje sistematike dhe bashkëpunim midis institucioneve. Megjithatë institucionet e hedhin përgjegjësinë te njëra tjetra.

Ndryshe, pas disa dekadave pritje, më 30 Qershor 2021, Kuvendi i RMV-së e shpalli park kombëtar një pjesë të Malit Sharr.