Sunak: Liderët në Prishtinë dhe Beograd, përgjegjës për uljen e tensioneve

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka deklaruar se është i shqetësuar për situatën në veriun e Kosovës, derisa tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i mbështetur nga Bashkimi Evropian, është rruga që ai e përkrah, raporton Koha.net.

Sunak deklaroi në Kuvendin e Britanisë, kur u pyet nga deputetja Alicia Kearns, se a duhet t’i zgjerohet KFOR-it mandati edhe për hulumtimin e çështjes së armëve ilegale, që sipas Kearns, po kontrabandohen nga Serbia nëpërmjet kishave.

“…Ne dhe Qeveria mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës e Hercegovinës, si dhe do të vazhdojmë të marrim masa ndaj atyre që e kërcënojnë këtë…Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni, i dënojmë fortë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se prijësit në Beograd dhe në Prishtinë kanë përgjegjësi për të ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme…Pikëpamja jonë është se duhet të gjejmë një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE”, ka thënë Sunak.

Në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar është ngre alarmi se kishat serbe po shërbejnë si vende ku po ruhen armë të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, tha se Qeveria britanike është informuar nga KFOR-i se këto armë mbërrijnë me ambulanca nga Serbia.