Studentët shqiptarë u takuan me deputetët e LSDM-së, javën tjetër pritet çështja e jurisprudencës të dorëzohet në Kuvend

Kryetari i grupit parlamentar nga LSDM-ja, Oliver Spasovski, i shoqëruar nga deputeti Fatmir Bytyqi, zhvilluan takim pune me studentët shqiptarë që kanë për qëllim realizimin e kërkesës për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.

“Në kuadër të kësaj iniciative dhe angazhimeve tona, javën e ardhshme rezoluta do të dorëzohet në Kuvend për procesim, si hap konkret drejt trajtimit institucional të kësaj çështjeje”, deklaroi studenti Mevlan Ademi.

Ademi sqaroi që ky takim është në kuadër të kërkesës së studentëve për tëu takuar me koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend, në lidhje me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ndryshe, studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut më 26 shkurt kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Kjo nismë i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ministria e Drejtësisë edhe paraprakisht kishte deklaruar se nuk e ndryshon qëndrimin se provimi nuk mund të mbahet në shqip. Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet. Ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.