Kë e mendon Marta Kos kur flet për kalin e Trojës?

“Nuk ka kuaj trojanë. Vendet që do të na dëmtonin nga brenda, nuk mund të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së, duhet të jenë demokraci të forta – të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”. Kështu tha komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, para Parlamentit Evropian këtë javë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ajo nuk sqaroi se për cilat vende e ka fjalën, por situata në dhjetë vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, ndoshta çon në përfundimin e njëjtë.

Sipas një zyrtari evropian që komentoi jozyrtarisht deklaratat e Kosit, “Serbia dhe Gjeorgjia janë ndër të dyshuarit e zakonshëm”.

Në grupin e zgjerimit të BE-së bëjnë pjesë gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, megjithëse me përparim të pabarabartë në procesin e anëtarësimit.

Nga vendet e Partneritetit Lindor, në këtë grup janë Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

Turqia, edhe pse ende me status të kandidates, i ka të ngrira negociatat e pranimit me BE-në.

Mesazh për Serbinë që ta rishqyrtojë rrugën e saj evropiane

Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe vend kandidat për anëtarësim në BE që ka refuzuar thirrjet e Brukselit për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së dhe për t’i vendosur sanksione Rusisë, pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Kjo është arsyeja kryesore përse negociatat e anëtarësimit janë ngrirë – vendi nuk ka hapur asnjë kapitull që nga dhjetori i vitit 2021, dy muaj përpara se të fillonte lufta në Ukrainë.

Deri vonë, Serbia është konsideruar si një nga vendet kryesore në procesin e pranimit në Bruksel.

A është Mali i Zi, si lider në procesin e anëtarësimit, rezistent ndaj ndikimit rus?

Mali i Zi, aktualisht, është në vendin e parë për anëtarësim.

Zyrtarët e BE-së besojnë se është reale të pritet që ky vend të përfundojë procesin e negociatave deri në fund të vitit 2026, në mënyrë që t’i krijojë kushtet për anëtarësim deri në fund të vitit 2028.

Shqipëria, tash për tash, mban vendin e dytë, të cilin e mori nga Serbia pasi hapi të gjithë kapitujt e negociatave vitin e kaluar, në kohë rekord.

Megjithatë, përparimi i këtyre vendeve nuk nënkupton se ato nuk do të jenë nën vëzhgimin e Brukselit kur bëhet fjalë për reformat – veçanërisht ato thelbësore që lidhen me sundimin e ligjit.

Rasti i Gjeorgjisë si shembull i pasojave të marrëdhënieve të ngushta me Rusinë

Procesi i integrimit evropian të Gjeorgjisë është praktikisht i ngrirë.

Zyrtarët e lartë evropianë përsërisin vazhdimisht se Gjeorgjia është një vend kandidat për anëtarësim në BE “vetëm në letër”.

Vlerësohet se ky vend është duke u larguar politikisht nga rruga evropiane dhe duke iu afruar Rusisë.

Tensionet janë intensifikuar sidomos kur autoritetet gjeorgjiane kanë miratuar një ligj të diskutueshëm për agjentët e huaj, i cili është parë si i ngjashëm me legjislacionin rus dhe kufizon punën e shoqërisë civile dhe të medias së pavarur.

BE-ja ka vlerësuar se lëvizje të tilla paraqesin pengesa në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, të cilat janë kushte kryesore për përparim drejt anëtarësimit.

Komisioni Evropian, së voni, ka pezulluar regjimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike, shërbyese dhe speciale gjeorgjiane.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe do të jetë i vlefshëm për 12 muaj, deri më 6 mars 2027.

Ai, gjithashtu, ka lënë të hapur mundësinë e zgjerimit të këtyre masave për të gjithë qytetarët e Gjeorgjisë, e jo vetëm për nëpunësit civilë dhe diplomatët.