Studentët në sfidë me sistemin, përsëri dorëzuan kërkesë që provimet profesionale të mbahen edhe në gjuhën shqipe

Pas zvarritjes së zbatimit të premtimeve që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Studentët shqiptarë, sot përsëri kanë dorëzuar kërkesë të re te institucionet, që krahas provimit të jurisprudencës, edhe provimet tjera profesionale të jepen në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.

Pas dy protestave dhe shumë premtimeve të zyrtarëve shtetëror, ende nuk ka zgjidhje që provimet profesionale të jepen edhe në gjuhën shqipe.

Për këtë, studentët sot dorëzuan kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve.

Nismëtari i çështjes, Mevlan Ademi tha se këtë herë, kërkesa përfshin jo vetëm provimin e jurisprudencës, por edhe provimet për noter, përmbarues dhe të gjitha provimet shtetërore që, në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, vazhdojnë të organizohen vetëm në gjuhën maqedonase.

“Studentët shqiptarë nuk duhet të diskriminohen. Duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e vet”, tha Ademi.

Në kërkesë thuhet se rikërkojnë me vendosmëri marrjen e masave administrative të nevojshme për organizimin e menjëhershëm të këtyre provimeve edhe në gjuhën shqipe.

“Bazuar në nenin 2, të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve (Gazeta Zyrtare e RMV-së, nr. 7/2019, dt. 14.01.2019) dhe konform dispozitave të Ligjit për Provimin e Jurisprudencës (Gazeta Zyrtare e RMV-së, nr. 190/2019, dt. 16.09.2019), Ju drejtojmë këtë kërkesë për mundësimin e dhënies së provimieve të jurisprudencës, noterisë, përmbarimit si dhe provimeve të tjera shtetërore të drejtimeve tjera edhe në gjuhën shqipe”, thuhet në kërkesë.

Mes tjerash theksojnë se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, për aq kohë sa është në fuqi.

“Është e papranueshme që studentët të cilët studiojnë në gjuhën shqipe dhe i përkasin njërit prej popujve shtetformues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të diskriminohen dhe të vendosen në kushte të pabarabarta në krahasim me kolegët e tyre që studiojnë në gjuhën maqedonase”, thonë studentët.

Portalb.mk kërkoi sqarime nga Ministria e Drejtësisë dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve na njoftoi se nuk ka pranuar kërkesë të re nga studentët për organizimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.

“Megjithatë, si institucion mbetemi të përkushtuar ndaj zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe në kuadër të kompetencave tona, do të vazhdojmë të mbështesim çdo iniciativë që siguron përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe në procedurat shtetërore”, thanë nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve.

Kanë kaluar muaj që kur zëvendëskryeministri, Bekim Sali, u premtoi studentëve shqiptarë se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave. Ndërkohë, Sali premtimin e ka zhvendosur për në shtator të këtij viti.

Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare. Kujtojmë se, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. 

Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.