7 raste të reja të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor këtë javë, gjithsej 15 pacientë të shtruar në Infektive

Gjatë kësaj jave në vend janë regjistruar shtatë raste të reja me infeksion nga virusi i Nilit Perëndimor (WNV). Të gjitha rastet janë nga Shkupi, nga dy raste në komunat Kisella Vodë dhe Gazi Babë, si dhe nga një rast në Ilinden, Butel dhe Aerodrom, transmeton Portalb.mk.

Personat e infektuar rishtazi janë të moshës nga 60 deri në 84 vjeç dhe të gjithë janë të hospitalizuar.

“Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, aktualisht janë të hospitalizuar gjithsej 16 pacientë. Te 15 prej tyre infeksioni është konfirmuar laboratorikisht, ndërsa për një rast të dyshuar priten rezultatet. Tre pacientë janë në gjendje kritike dhe janë të intubuar”, informoi Ministria e Shëndetësisë.

Bëhet fjalë për persona të moshës më të avancuar me sëmundje shoqëruese. Pacientët e tjerë janë në gjendje stabile dhe marrin trajtimin e duhur.

Deri më tani në vend janë regjistruar gjithsej 20 raste me infeksion nga virusi i Nilit Perëndimor. Rasti i parë është raportuar më 15 maj 2026 në Veles.

Mënyra më efikase e parandalimit është mbrojtja nga pickimet e mushkonjave. Rekomandohet të shmanget qëndrimi në ambiente të hapura në agim dhe në muzg, kur mushkonjat janë më aktive, si dhe të përdoren repelentë dhe rrjeta mbrojtëse në dyer dhe dritare.

Qytetarët duhet rregullisht të largojnë ujërat e ndenjura nga oborret dhe tarracat, pasi ato paraqesin vende të përshtatshme për shumimin e mushkonjave.

Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.