Punëdhënësit të sigurojnë kushte të sigurta pune gjatë temperaturave ekstreme, rekomandoi ISHP

Punëtorët që i kryejnë detyrat e tyre në ambiente të hapura ose në hapësira të mbyllura me temperatura të larta paraqesin një nga kategoritë më të rrezikuara gjatë valëve të të nxehtit, kujtojnë nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), duke theksuar se në rrezik të shtuar janë personat e ekspozuar ndaj rrezatimit të drejtpërdrejtë diellor, temperaturave të larta të ambientit, rrezatimit të nxehtësisë ose sforcimeve të mëdha fizike, që shkaktojnë humbje të konsiderueshme të lëngjeve, transmeton Portalb.mk.

“Në këtë grup përfshihen, ndër të tjera, punëtorët e ndërtimtarisë dhe të shërbimeve komunale, bujqit, shpërndarësit, policët e trafikut, si dhe punëtorët në impiante prodhuese, kuzhina, furra buke, shkritore dhe ambiente të tjera pune me ngarkesë të lartë termike. Me planifikim në kohë të aktiviteteve të punës dhe zbatim të vazhdueshëm të masave parandaluese, punëdhënësit dhe punëtorët mund të ulin ndjeshëm rrezikun nga sëmundjet dhe lëndimet që lidhen me ekspozimin ndaj temperaturave të larta”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Në rekomandimet për punëdhënësit thuhet se ata duhet të sigurojnë kushte të përshtatshme pune përmes mirëmbajtjes së rregullt të sistemeve të ventilimit dhe klimatizimit, hijezimit të hapësirave të punës aty ku është e mundur, matjes së temperaturës së ambientit dhe zvogëlimit të ekspozimit ndaj burimeve të drejtpërdrejta të nxehtësisë.

“Ata duhet të sigurojnë hapësirë të klimatizuar ose vend tjetër të përshtatshëm për freskim të punonjësve gjatë pauzave. Detyrat e punës që kërkojnë sforcim më të madh fizik, kur është e mundur, duhet të kryhen në orët e hershme të mëngjesit ose në orët e vona të pasdites. Në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00, kur ngarkesa termike është më e madhe, duhet të përshtatet organizimi i procesit të punës përmes pushimeve më të shpeshta, sigurimit të kushteve për freskim, rotacionit të punëtorëve dhe detyrave të punës, organizimit të punës me turne dhe, kur e lejon procesi i punës, aplikimit të orarit fleksibil, punës nga distanca, punës në dy turne, kompensimit të kohës së humbur të punës, si dhe, kur është e mundur, shmangies së punës në ambiente të hapura. Duhet gjithashtu të zvogëlojnë intensitetin e sforcimit fizik kur është e mundur dhe të shmangin punën e panevojshme jashtë orarit”, thuhet në rekomandime.

Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet kategorive të rrezikuara të punonjësve (personave me sëmundje kronike, punëtorëve të moshuar, grave shtatzëna, personave me mbipeshë trupore etj.) dhe, nëse është e mundur, ata duhet të sistemohen në vende pune me ekspozim më të ulët ndaj nxehtësisë.

Për punonjësit, gjatë udhëtimit drejt dhe nga vendi i punës, duhet të ndërmerren masa për uljen e ekspozimit ndaj temperaturave të larta, si përdorimi i rrugëve me hije, mbajtja e ujit me vete dhe shmangia e qëndrimit të panevojshëm në diell të drejtpërdrejtë.

“Të konsumojnë mjaftueshëm lëngje (të paktën 2 litra ujë në ditë, dhe më shumë gjatë djersitjes së shtuar), të shmangin alkoolin dhe konsumimin e tepërt të kafeinës dhe, sipas nevojës, të përdorin elektrolite. Të veshin rroba të lehta, me ngjyrë të hapur dhe pambuku, kapelë, syze dielli dhe krem mbrojtës gjatë punës në ambiente të hapura. T’i përdorin pushimet e siguruara për qëndrim në hije ose në ambiente të klimatizuara dhe të freskohen rregullisht. T’i njohin simptomat e hershme të rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditjes nga nxehtësia (marramendje, dobësi, dhimbje koke, të përziera, djersitje e tepërt ose ndërprerje e djersitjes, konfuzion) dhe menjëherë të njoftojnë personin përgjegjës”, këshillon ISHP.

Sa i përket ndihmës së parë, në rast dyshimi për goditje nga nxehtësia, duhet menjëherë të thirret numri 194 ose 112.

“Personi duhet të transferohet në hapësirë të freskët ose të klimatizuar, të vendoset në pozicion shtrirë, të ftohet me kompresa të ftohta dhe ujë dhe të pritet ardhja e ndihmës mjekësore. Nëse personi është pa vetëdije, duhet të vendoset në pozicion anësor. Instituti i Shëndetit Publik apelon që punëdhënësit dhe punëtorët t’i zbatojnë vazhdimisht këto rekomandime, veçanërisht gjatë valës aktuale të të nxehtit dhe ditëve me temperatura ekstreme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe parandalimin e pasojave të padëshiruara nga ekspozimi ndaj nxehtësisë”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.