Strugë, procedurë parahetimore për drejtorët e shkollave të emëruar në mënyrë të paligjshme

Emërimi i paligjshëm i drejtorëve në disa shkolla fillore në Strugë dhe rrethinë nga kryetari Ramiz Merko është edhe në fokusin e Prokurorisë Themelore Publike. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit u dorëzoi atyre dokumentet e nevojshme në lidhje me emërimin e paligjshëm të disa personave si drejtorë. Por, nga Prokuroria nuk japin detaje, transmeton Alsat.

“Për emërimet në të gjitha këto institucione, Prokuroria Publike në Strugë tashmë ka formuar lëndë që nga fillimi i vitit dhe po bëhen kontrolle. Në procedurë parahetimore kontrollohen emërime të tjera, por prokuroria publike nuk është në gjendje të ndajë detaje në interes të procedures,” u tha nga Prokuroria Themelore Publike.

Komisioni Antikorrupsion gjithashtu paraqiti një nismë në Prokurori për ndjekjen penale të kryetarit Merko për shpërdorim detyre. Arsyeja ishte emërimi i paligjshëm i një ushtruesi drejtor në një shkollë fillore në fshatin Veleshtë. Aleanca për Shqiptarët kërkon që Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri t’i heqë menjëherë kompetencat Merkos.

“Ndërhyrja juaj, sado minimale të jetë, do të ndalojë trendin e ndërhyrjes së politikës në arsimin fillor dhe të mesëm në komunë, si dhe rënien e nivelit të arsimit në komunën e Strugës, ndërsa mosndërhyrja juaj siç keni bërë deri më sot do të dëshmojë se jeni të kontrolluar nga NON- MERKO…,” deklaroi Lulzim Nasufi – kryetar i Aleancës, Strugë

Ndryshe, dje, ish-inspektori I arsimit Gjorgji Ilievski, zbuloi për opinionin se jo vetëm në Veleshtë, por edhe në fshatrat Podgorci, Radolishtë, Labunishtë dhe madje edhe në shkollën fillore Vëllezërit Milladinov në Strugë, ka drejtorë të ngjashëm të vendosur në mënyrë të paligjshme. Në të gjitha shkollat, të emëruarit janë emëruar dy herë në atë post dhe nuk ishin nga radhët e punonjësve, por kanë ardhur nga jashtë.