Digjitalizimi i procedurave të inspektimit zvogëlon rreziqet nga korrupsioni, vlerësoi Grkovska

Është shumë e rëndësishme që inspektoriatet që ende nuk e kanë digjitalizuar procedurën e inspektimit të bëjnë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të respektuar dinamikën e përcaktuar. Këtë e theksoi zëvendëskryeministrja për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, në takimin koordinues me përfaqësuesit e të gjitha inspektorateve shtetërore, ku mori pjesë edhe kryetarja e Këshillit inspektues, Daniella Rendevska, transmeton Portalb.mk.

Temë e takimit ishte dinamika e digjitalizimit të procedurës së inspektimit E-inspektor, përmes secilës hiqet ndjeshëm faktori subjektiv, duke ulur kështu rreziqet e korrupsionit në inspektime.

Si pengesë më e madhe në funksionimin e përditshëm të inspektorateve, në mbledhje u veçua mospërputhja e disa ligjeve materiale me të cilat shërbimet inspektuese veprojnë me Ligjin për mbikëqyrjen inspektuese, disa prej të cilave kanë qenë në procedurë parlamentare për nje kohe e gjate.

Grkovska theksoi rëndësinë e rritjes së transparencës së shërbimeve inspektuese në drejtim të forcimit të integritetit të inspektorëve, por edhe si mënyrë për të rritur sigurinë e tyre në përmbushjen e obligimeve të punës. Për të përmirësuar më tej hapjen e këtyre shërbimeve duke publikuar procesverbalet e mbikëqyrjeve të kryera, u vendos që të konsultohet me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për të përcaktuar formën e duhur që do të mundësojë promovimin e transparencës, ndërkohë duke mos qenë në kundërshtim me rregulloren për mbrojtjen e të dhënave personale.

Nga kabineti i Grkovskës informuan se drejtorët e inspektorateve shtetërore kanë biseduar edhe për nevojën e rritjes së koordinimit ndërmjet inspektorateve dhe Këshillit inspektues, me qëllim të rritjes së efikasitetit, por edhe cilësisë së punës së inspektorëve.