Neymar nënshkroi kontratë dyvjeçare me klubin saudit Al-Hilal

Ylli brazilian i futbollit, Neymar ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me ekipin saudit Al-Hilal. Sulmuesi brazilian luajti gjashtë vite me ekipin Paris St Germain, PSG ku fitoi disa trofe, por jo Ligën e Kampionëve, transmeton Zëri i Amerikës.

Deri tani nuk ka detaje për kontratën, por njoftohet se flitet për 90 milionë euro dhe pagesa të tjera, para se të bëhet ekzaminimi mjekësor për 31-vjeçarin brazilian. Gazeta franceze “L’Equipe” tha se Neymar do të përfitojë rreth 160 milionë euro nga marrëveshja.

Klubi i Ligës Profesionale Saudite (SPL) Al-Hilal njoftoi se Neymar kishte nënshkruar një kontratë deri në vitin 2025. Në një video të postuar në rrjetet sociale të klubit, Neymar shprehet, “Jam në Arabinë Saudite, jam Hilali”.

Në vitin 2017, Neymar nënshkroi një kontratë me klubin PSG me një vlerë prej 222 milionë eurosh. Ai shënoi 118 gola në 173 ndeshje për klubin e Parisit dhe fitoi trofe të shumta, përfshirë pesë tituj të “Ligue 1”.

Neymar gjithashtu ka luajtur në 124 ndeshje për Brazilin, duke shënuar 77 gola – një rekord i përbashkët me të famshim Pele, tre herë fitues i Kupës së Botës.

Klubi më i suksesshëm në Arabinë Saudite dhe Azi, Al-Hilal ka fituar 66 trofe dhe mban rekordin për numrin e titujve.

Sulmuesi portugez Cristiano Ronaldo nënshkroi një kontratë me klubin Al-Nassr, duke u bërë sportisti më i paguar në botë. Klubi al-Ittihad nënshkroi marrëveshje me sulmuesin francez Karim Benzema i cili luante për ekipin “Real Madrid”.